Partia Demokratike hapi sot paradite fushatën në Dibër. Kreu i PD-së, Lulzim Basha, prezantoi kandidatët për deputetë, ndërsa nuk i kurseu akuzat ndaj qeverisë. Basha tha se kryeministri nuk e ka mbajtur premtimin për 300 mijë vende pune, por ka investuar në fasada.
Kreu i PD-së tha se takimi i Ramës po sot në Dibër duhet të shërbejë për votuesit si një moment për të kërkuar llogari për qeverisjen 4-vjeçare.
“Rama premtoi 300 mijë vende pune, shëndetësi falas. Sot do të jetë edhe ai në Dibër, në një takim me gratë. Dua tu vbëj thirrje grave që shkojnë në takim t’i bëjnë disa pyetje Edi Ramës. Mos e lini të bëjë shfaqje e të tregojë barcaleta. Pyeteni Edi Ramën ku i ke vendet e punës që premtove. Pyeteni pse nuk keni parë ju një kokërr leku subvencion në këto katër vite, pse nuk marrin ndihmë ekonomike familjet në nevojë. Mos e lini ta kthejë në estradë këtë fushatë. Demokracia është llogaridhënie”, tha ai.



