
Një ligj i ri që hyn në fuqi javën e ardhshme në mbretërinë aziatike të Bruneit dënon me vdekje homoseksualët dhe shkelësit e kurorës. Duke nisur nga 3 prilli, çdo individ që gjendet fajtor për marrëdhënie seksuale brenda të njëjtës gjini ose tradhti bashkëshortore dënohet me vdekje, në bazë të kodit të ri penal. Mënyra e ekzekutimit do të jetë ajo me gurë, nën vëzhgimin e një grupi të klerit mysliman.
Ky ligj në fakt është prezantuar që në vitin 2014 dhe ka avancuar ngadalë drejt miratimit. Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, ndryshimet e reja u njoftuan nga zyra e prokurorit të përgjithshëm.
Grupet e të drejtave të njeriut reaguan menjëherë pas miratimit të ndryshimeve në ligj, të cilat gjithashtu parashikojnë që të dënuarve për vjedhje t’u pritet dora.
Në vitin 2014, kur Brunei u bë vendi i parë që vuri në zbatim ligjin sharia, reagimi ndërkombëtar pati përmasa të mëdha. Mbretëria e pasur me naftë, në të cilën jetojnë 450 000 banorë ndodhet në ishullin Borneo, në kufi me dy shtete myslimane të moderuara, Indonezi dhe Malajzia.
Por ndryshe nga fqinjët, Brunei ka pasur një prirje drejt konservatorizmit vitet e fundit, madje ka ndaluar edhe shitjen e alkoolit.



