Motra e vogël e Mbretit Felipe të Spanjës, Princesha Cristina, ka njoftuar ndarjen nga bashkëshorti Inaki Urdangarin pas 24 vitesh martesë.
"Me marrëveshje reciproke ne kemi vendosur të ndërpresim martesën tonë. Përkushtimi ynë ndaj fëmijëve tanë mbetet i paprekur. Meqenëse ky është një vendim privat, ne kërkojmë respektin maksimal të të gjithë atyre që na rrethojnë," tha çifti, i cili ka katër fëmijë.
Njoftimi vjen një javë pasi fotot në tabloidin panjoll Lecturas zbuluan lidhjen e Urdangarin me një grua tjetër. Dyshja u fotografuan të kapur për dore gjatë një vizite në Francën jugore.
Kur u pyet për lidhjen e tij, Urdangarin u tha gazetarëve: "Këto gjëra ndodhin. Është një vështirësi që ne do ta menaxhojmë me qetësinë më të madhe dhe së bashku, siç kemi bërë gjithmonë."
Princesha Cristina, e cila njihet si Infanta Cristina në Spanjë dhe mbetet e gjashta në vijën e fronit, aktualisht jeton dhe punon në Zvicër.



