Deputeti i ri i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, shpjegon mënyrën se si po organizohet proçesi për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë. Në një intervistë në studion e Tema TV, Salianji tha se data e fundit e aplikimit për të qenë kandidat për kryetar është data 2 korrik. Ndërkohë, sipas Salianjit, të gjitha funksionet organizative për këtë proces u kanë kaluar dy nënkryetarëve, Edi Paloka dhe Edmond Spaho. Salianji përmendi edhe zërat kundër Bashës në PD, duke theksuar se asnjë peticion për largimin e Bashës nuk ka vlerë.
“Në 22 korrik mbaron mandati i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ai i ka kaluar kompetencat e veta te dy nënkryetarë dhe sekretari i përgjithshem duke mos pasur funksione organizative për të bërë të mundur një garë të lirë të ndershme dhe siç e parashikon statusi i Partisë Demokratike. Janë marrë përgjegjësitë e para për rezultatin e zgjedhjeve por po ashtu është vendim i kryetarit të Partisë Demokratike si çdo antari tjetër të PD-së që deri në datën 2 korrik të dorëzojë aplikimin për të qenë kandidat për drejtimin e Partisë Demokratike. Kjo është demokracia, këto janë rregullat e lojës, që nuk mund të përjashtohesh nga askush, përfshirë edhe njerëz që kërkojnë ta zgjidhin në një formë tjetër që për mua është formë e tejkaluar, nuk ka vlerë peticioni, është njësoj si para zgjedhjeve të përgjithshme të bësh një peticion me firma që të thuash dua të mos kandidojë pala kundërshtare, kryeministri për shembull”, tha ai.
Sipas Salianjit, të drejtë vote për të zgjedhur kreun e ri të PD-së kanë vetëm ata që kanë qenë anëtarë në momentin e shpalljes së kandidaturave.
“Ka një komision ose një grup njerëzish që do të identifikojnë siç janë listat e anëtarëve të Partisë Demokratike deri në momentin e shpalljes së zgjedhjeve, vetëm ata kanë të drejtë të votojnë, dhe jo antarët e rinj që anëtarsohen çdo ditë, dhe pas kësaj do të ketë një garë apo një fushatë si të gjitha fushatat e tjera ku të gjithë kandidatët e Partisë Demokratike për kryetar të PD-së do të shkojnë pranë degëve të partisë, pranë seksioneve të partisë, në çdo cep të kontaktojnë njerëzit dhe për t’i bindur sepse janë ata alternativa më e mirë për PD-në. Në këto zgjedhje do të kandidojnë edhe Eduart Selami”, tha ai.



