
Bahri Shaqiri është propozimi i presidentit Meta për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Pas mbarimit të mandatit të kreut të KLSH-së, Bujar Leskaj, kreu i shtetit, me dekretin nr. 11063, datë 19.01.2019, ka vendosur t’i propozojë Kuvendit të Shqipërisë që Bahri Shaqiri të zgjidhet në pozicionin Kushtetues të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Shaqiri mban aktualisht detyrën e këshilltarit të presidentit për Çështjet e Sigurisë Kombëtare. Ai ka qenë kryetar i Shërbimit Informativ Shtetëror në periudhën mars 2005- gusht 2012, ndërsa më parë ka mbajtur postin e shefit të Kabinetit dhe shefit të Marrëdhënieve të Jashtme në të njëjtin institucion.
Në letrën drejtuar Parlamentit, presidenti Meta e përshkruan Shaqirin si kandidaturën që kushtet dhe kriteret ligjore për t’u emëruar në pozicionin e kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
“Gjatë eksperiencës 26-vjeçare të punës në institucionet e larta shtetërore si: Ministria e Financave, Shërbimi Informativ i Shtetit, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, dhe aktualisht në Institucionin e Presidentit të Republikës, z. Bahri Shaqiri ka treguar integritet të lartë moral dhe profesional në ushtrimin me sukses të detyrave kaq të rëndësishme. Zoti Shaqiri gjatë ushtrimit të detyrave të mësipërme, ka patur bashkëpunim të shkëlqyer me partnerët ndërkombëtarë, në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe krimit ekonomiko-financiar. Zoti Shaqiri ka njohuritë e duhura në fushën e ligjit dhe auditimit për të garantuar drejtimin profesional të këtij institucioni të pavarur. Dekreti i Presidentit të Republikës dhe dokumentacioni shoqërues i kësaj kandidature i përcillet sipas ligjit Kuvendit të Shqipërisë për miratim”, thuhet në njoftimin e Presidencës.



