
Europol do të përfaqësohet me një zyrë në Tiranë. Në ceremoninë e hapjes së saj, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, tha se thellimi i integrimit duhet të shoqërohet dhe nga rritja e pandalshme dhe shkëmbimi i vazhdueshëm i bashkëpunimit dhe informacionit në nivel praktik.
“Hapja e zyrës së Europol në Tiranë është një ngjarje shumë e rëndësishme dhe pozitive. Në 10 vitet e fundit numri i njerëzve që kalojnë kufijtë e Republikës së Shqipërisë është rritur 160%. Tendenca vazhdon me po të njëjtin ritëm rritje. Mjafton vetëm kjo shifër për të treguar nivelin e jashtëzakonshëm që ka arritur lëvizja e njerëzve dhe mallrave. Thellimi i integrimit nuk e cënon sigurinë po e forcon atë, por me një kusht. Thellimi i integrimit duhet të shoqërohet dhe nga rritja e pandalshme dhe shkëmbimi i vazhdueshëm i bashkëpunimit dhe informacionit. Duhet të sigurojmë që kjo të mos ndodhë vetëm në nivelin e deklaratave politike por edhe praktikën e përditshme”, tha ai.
Në ceremoninë e hapjes së zyrës së oficerit ndërlidhës të Europolit ishin të pranishëm edhe ambasadori i BE-së dhe drejtoresha Ekzekutive e Europolit.



