Organizata Botërore e Shëndetit thotë se bota duhet të bëjë më shumë për t'u përgatitur për një pandemi të mundshme për shkak të koronavirusit.
Sipas saj është ende shumë herët për ta quajtur shpërthimin një pandemi, por vendet duhet të jenë "në një fazë të gatishmërisë".
Pandemi është kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person në shumë pjesë të botës.
Shumë raste të virusit Covid-19, i cili shkakton probleme të frymëmarrjes, vazhdojnë të shfaqen, në Korenë e Jugut, Itali, Iran etj., por shumica e infeksioneve janë në Kinë, burimi origjinal i virusit, ku 77 000 njerëz janë infektuar dhe 2.600 të tjerë kanë vdekur. Numri i rasteve të reja atje po bie, sipas BBC.
Më shumë se 1 200 raste janë konfirmuar në rreth 30 vende të tjera dhe ka pasur mbi 20 vdekje. Italia njoftoi tre vdekje të tjera të hënën, duke e rritur totalin atje në gjashtë.
Tregjet e aksioneve në të gjithë botën kanë pësuar rënie për shkak të koronovirusit. Përqindja e personave të infektuar që vdesin nga Covid-19 duket të jetë 1%- 2%, megjithëse OBSH-ja paralajmëron se niveli i vdekshmërisë nuk dihet ende.
Të hënën Iraku, Afganistani, Kuvajti, Oman dhe Bahreini raportuan rastet e tyre të para, të gjithë njerëz që kishin ardhur nga Irani.
Ari arriti çmimin e tij më të lartë në shtatë vjet pasi frika e koronavirusit i shtyu investitorët të kërkojnë një strehë të sigurt.
Koreja e Veriut ka karantifikuar 380 të huaj në një përpjekje për të ndaluar shpërthimin e koronavirusit.
Shefi i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus tha në një konferencë shtypi të hënën se numri i rasteve të reja ditëve të fundit në Iran, Itali dhe Korenë e Jugut ishte "thellësisht shqetësues", por ende jo një pandemi.
"Për momentin ne nuk jemi dëshmitarë të përhapjes së pakontrolluar globale të këtij virusi. A ka ky virus potencial pandemik? Absolutisht, ka. A jemi akoma atje? Nga vlerësimi ynë, jo akoma", tha ai.
Mike Ryan, kreu i programit të urgjencave shëndetësore të OBSH-së, tha që tani ishte koha për të bërë përgatitjet.
"Është koha për të bërë gjithçka që do të bënit për t'u përgatitur për një pandemi," tha ai.
Larja e shpeshtë e duarve me sapun ose xhel, shmangia e kontaktit të ngushtë me njerëzit që janë të sëmurë dhe mosprekja e syve, hundës dhe gojës me duar të palara mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut të infeksionit.
Çfarë do të thotë pandemi?
Një pandemi është përhapja në të gjithë botën e një sëmundje të re.
Përhapja e H1N1 (gripit të derrit), e cila vrau qindra mijëra njerëz, u shpall një pandemi nga OBSH në 2009.
OBSH nuk e etiketon zyrtarisht një shpërthim sëmundjesh një "pandemi", por thotë se termi mund të përdoret.



