
Qeveria amerikane mbyllet sërish. Ky do të jetë shutdoën i dytë brenda 3 javësh. Nga mesnata në Uashington, të gjitha zyrat federale do të mbyllen, duke nisur nga ato më pak të rëndësishmet. Ka të ngjarë që kjo mbyllje të mos zgjasë shumë, por kësaj radhe presidenti Trump nuk mund t’ua vërë fajin demokratëve, të cilët bllokuan punën e qeverisë më 20 janar, duke mos votuar buxhetin.
Si për surprizë, kësaj here, ai që ka penguar miratimin e buxhetit është një senator republikan. Ish-kandidati për president Rand Paul, e ka kundërshtuar rritjen e borxhit publik. Ai ka folur rreth 6 orë në Senat, duke bllokuar kështu votimin e një marrëveshjeje dypalëshe për rritjen e shpenzimeve me 300 miliardë dollarë, në një kohë kur plani i Trump-it për shkurtimin e taksave pritet të shkaktojë në buxhet një “gropë” financiare prej 1.500 miliardë dollarë në 10 vjet.
Ligji amerikan parashikon që, nëse një anëtar i Senatit e sheh të domosdoshme, mund të bllokojë miratimin e buxhetit me një votë të vetme. “Mund t’i mbaj këtu deri në 3 të mëngjesit, janë të detyruar të më dëgjojnë”, pati paralajmëruar ai pas nisjes së diskutimeve. / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



