
Gjermania ka raportuar një numër rekord rastesh me COVID-19.
Instituti Robert Koch (RKI) tha se 33, 949 raste të reja ishin regjistruar në 24 orët e fundit, nga 28,037 raste ditore një javë më parë. Rekordi i mëparshëm ishte 33,777 raste të reja më 18 dhjetor 2020.
Ministri federal i shëndetësisë Jens Spahn do të takohet me ministrat e shëndetësisë për të diskutuar se si të kufizohet përhapja e virusit përpara dimrit, pasi njësitë e kujdesit intensiv në spitale po mbushen dhe infeksionet tek fëmijët po rriten.
165 vdekje janë raportuar krahasuar me një javë më parë kur ishin 126. Të paktën 96,192 njerëz kanë vdekur nga COVID-19 që nga fillimi i pandemisë dhe më shumë se 4.6 milionë njerëz janë infektuar me virusin.
Rreth 66% e popullsisë së Gjermanisë kanë marrë të paktën një dozë të një vaksine për COVID-19, por rreth 16.2 milionë njerëz të moshës 12 vjeç e lart mbeten të pavaksinuar duke përfshirë 3.2 milionë mbi 60-at.
Disa rajone gjermane po forcojnë kontrollet dhe presioni sa vjen dhe po rritet.



