Tre persona kanë rënë në pranga dhe 5 janë shpallur në kërkim, pasi iu gjet një në makinë një sasi kanabisi prej 10 kilogramësh.
Strukturat e DVP Elbasan, pas një hetimi njëmujor të zhvilluar me metoda proaktive, nën drejtimin e Prokurorisë Elbasan, kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Aksi”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në fragrancë shtetasit: Ledio Gjonas, 23 vjeç, banues në Pogradec, Blerta Fetau, 28 vjeçe, banuese në Tiranë dhe Grigor Papathanasi, 33 vjeç, banues në Korçë.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin tip "Audi", me drejtues shtetasin Ledio Gjonas dhe pasagjere shtetasen Blerta Fetau.
Gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit u gjetën 10 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, që këta shtetas po e transportonin nga Korça në drejtim të Elbasanit.
Në afërsi të këtij automjeti u kap dhe u ndalua edhe shtetasi Grigor Papathanasi, i cili nga veprimet hetimore ka rezultuar bashkëpunëtor me 2 shtetasit e lartpërmendur.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Grigor Papathanasi shërbimet e Policisë kanë gjetur një armë zjarri pistoletë dhe një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa, në formë çokollate.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma e zjarrit pistoletë, 10 kg kanabis dhe automjeti tip “Audi”.
Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore, ka rezultuar se në këtë veprimtari kriminale dyshohet se janë të përfshirë edhe 5 shtetas të tjerë, të cilët u shpallën në kërkim. Vijon puna për kapjen e tyre. Punohet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.



