
Një adoleshent ka humbur të drejtën për drejtimin e mjetit vetëm 49 minuta pasi arrti ta fitonte atë, ka njoftuar policia gjermane.
18-vjeçari ishte duke u kthyer nga testi i suksesshëm i patentës, kur policët në Hemer e zunë duke shkelur rregullat e qarkullimit.
Ai po udhëtonte me shpejtësi dy herë më të lartë se limiti i lejuar, 95 kilometra në orë, në zonën ku lejohej vetëm deri në 50 kilometra në orë.
“Disa gjëra zgjasin përgjithmonë, disa as një orë”, ka thënë policia e Gjermanisë, raporton BBC.
Djaloshi kishte katër shokë në makinë dhe sipas deklaratave të autoriteteve theksohet se ai donte të impresiononte miqtë me aftësitë e tij të ngarjes së makinës dhe lëvizte me shpejtësi në një zonë që nuk lejohet.
Tani përballet me dënim të rëndë. Zyrtarisht i është ndaluar lëvizja për katër javë, ndërsa policia ka thënë se mund t’ia kthejë patentën e shoferit vetëm pas një “ritrajnimi të shtrenjtë”. Ai përballet edhe me gjobën prej 200 eurosh, dy pikëve në patentë dhe periudha e testimit si shofer i ri është zgjatur nga dy në katër vjet.



