
Bashkë me ushqimet që konsumojmë çdo ditë, ne fusim në organizëm edhe material plastik. Një studim i kryer së fundmi në Europë ka zbuluar 9 lloje lastike në jashtëqitjet e të gjithë vullnetarëve që morën pjesë në të.
Në kuadër të studimit të gjerë në kontinentin e vjetër, studiuesit gjetën mesatarisht 20 pjesë mikroplastike në çdo 10 gram feçe të analizuara, çka do të thotë se këto pjesëza kanë hyrë në organizëm së bashku me ushqimin. Mes llojeve të hasura më shpesh janë polipropileni (PP) dhe polietileni tereftalat (PET).
Vullnetarëve që morën pjesë në studim u ishte kërkuar që të mbanin ditar një javë para analizave dhe kjo çoi në përfundimin se ekspozimi ndaj grimcave të plastikës vjen nga konsumi i ushqimeve apo pijeve të ambalazhuara me këtë material.
Plastika në zorrë ndikon negativisht në sistemin imunitar dhe lehtëson kalimin e toksinave, mikrobeve dhe viruseve. Dr. Philipp Schwabi, i Universitetit të Vjenës në Austri, ku është kryer studimi, thotë se shqetësimi kryesor është ndikimi që këto grimca kanë në sëmundjet gastrointestinale.
“Këto grimca mund të hyjnë në gjak, në sistemin limfatik, madje mund të arrijnë deri në mëlçi. Duhen studime të tjera për të kuptuar çfarë do të thotë kjo për shëndetin e njeriut”, thotë ai.
Studimi është kryer me vullnetarë që jetojnë në Britani të Madhe, Finlandë, Itali, Holandë, Poloni, Rusi dhe Austri. Ata janë konsumues të produkteve të mishit dhe peshkut.
Rreth 5% e të gjithë plastikës që prodhon njeriu përfundon në det. Me të mbërritur në oqean, plastika konsumohet nga peshqit dhe në këtë mënyrë rikthehet sërish në zinxhirin ushqimor. Në mënyrë të veçantë, sasi më të mëdha plastike janë gjetur te peshku ton, aragosta dhe karkalecat e detit.
Edhe produktet industriale ndoten nga plastika gjatë procesit të paketimit.



