
Kryeministri maqedonas Zoran Zaev deklaroi se votimi më 30 shtator në shumë mënyra është edhe një referendum për përforcim dhe vërtetim të pavarësisë sonë. Sipas tij së bashku do t'i sigurojmë kufijtë tanë, do ta afirmojmë trashëgiminë tonë kulturore dhe do të fitojmë perspektivë të sigurt për të ardhmen si anëtare e NATO-s dhe BE-së.
Para mbështetësve të pranishëm në Shkup, në hapjen e fushatës për referendum, kryeministri Zaev tha se vetëm referendumi për pavarësi prej para 27 viteve mund të krahasohet me sfidën me të cilën ballafaqohemi sot.
Ai shtoi se para vetes kemi një ngjarje me proporcione historike që do të ndikojë në vitet që vijnë dhe se e ardhmja e fëmijëve tanë është më e rëndësishme nga të gjitha partitë politike.
"Unë jam i bindur që edhe VMRO-DPMNE-ja e cila është përkahëse tashmë një kohë të gjatë e integrimit tonë në BE dhe NATO ka shkaqe të fuqishme që të përfshihet. E di që edhe VMRO-DPMNE-ja është për Maqedoni evropiane, ashtu siç e di se nuk pajtohen me marrëveshjen e arritur me Greqinë. Na kritikoni për marrëveshjen me Greqinë, por mos e lëshoni këtë mundësi që vendi ynë të bëhet anëtar në NATO dhe BE. Kjo mundësi nuk përsëritet. Ne mund të kemi dallime politike dhe të vazhdojmë me betejat tona të përditshme politike", ka porositur Zaev.
Shefi i ekzekutivit bëri një deklaratë të fortë duke thënë se me dështimin e referendumit vendi nuk do të kishte ardhmëri.
“Si kryeministër kam mandat deri në dhjetor të vitit 2020. Nëse dështon dhe nuk ka sukses referendumi, me gjasë ne përfundojmë me politikat këtu. Por për çfarë do të na shërbente nevoja për qeverisje, kur shteti nuk do të na kishte ardhmëri. Që këtu theksoj përgjegjësitë e të gjithë aktorëve politik kryesor në shtet, përfshirë edhe VMRO DPMNE-në se duhet të sigurohet e ardhme progresive për Republikën e Maqedonisë”, tha Zoran Zaev, Kryeministër.
Nga ana tjetër, lideri i BDI-së Ali Ahmeti dhe anëtari i koalicionit qeverisës, deklaroi se referendumi është deklarim për integrimin e Maqedonisë në BE dhe NATO dhe një shoqërie më demokratike me sundim të plotë të ligjit dhe luftës së pakompromistë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.



