
Bipolariteti është një çrregullim i shëndetit mendor që karakterizohet nga ndryshime ekstreme në humor, energji dhe nivel aktiviteti. Kjo gjendje ndikon ndjeshëm në jetën e përditshme të individit, duke kaluar nga faza euforike (mania) në atë të trishtimit të thellë (depresioni).
Psikologia Almedia Xhaferi, e ftuar në emisionin e mëngjesit “Zgjohu me MCN”, foli për natyrën e çrregullimeve të shëndetit mendor, me fokus të veçantë tek bipolariteti, një temë që gjithnjë e më shumë po hyn në diskursin publik, shpesh edhe pa kuptuar thellësinë e saj.
Është kthyer në një trend që njerëzit vetëidentifikohen si bipolarë, apo i etiketojnë të tjerët si të tillë, thjesht për shkak të luhatjeve të humorit që mund të ndodhin brenda një dite apo ore.
Luhatjet e përditshme të humorit, të shkaktuara nga stresi, lodhja apo ngjarje të momentit, nuk janë të barasvlefshme me çrregullimin bipolar. Bipolariteti është një gjendje e rëndë dhe e diagnostikueshme, që kërkon trajtim të specializuar.
Një person me çrregullim bipolar kalon periudha të gjata, zakonisht mbi një javë, me humor të ngritur, energji të lartë, fjetje të pakët (për shembull, vetëm 2-3 orë në natë), vendime impulsive dhe ndjesi të papërmbajtshme fuqie. Ai mund të thotë ‘jam i pamposhtur’, ‘jam vetë Zoti’. Më pas, papritur, bie në një gjendje të rëndë depresive, ku edhe detyrat më të thjeshta, si dushi, ushqimi apo gjumi, bëhen të paarritshme. Vetëvlerësimi bie ndjeshëm dhe personi mund të ndjehet bosh.
Të jetosh me një diagnozë të tillë nuk është e lehtë. Bipolariteti kërkon trajtim të vazhdueshëm dhe shpesh afatgjatë.
Psikologia Xhaferi nënvizon se diagnoza duhet parë si mënyrë për të ndërtuar një linjë trajtimi të përshtatshme për individin.
Diagnoza nuk duhet parë si “vulë”, por si një mënyrë për të ndërtuar një linjë trajtimi të qëndrueshme dhe të përshtatshme për individin.
Bipolariteti ka shpesh një komponent gjenetik, por ndikon edhe mjedisi social, traumat në fëmijëri apo streset e vazhdueshme.
Trajtimi zakonisht fillon me stabilizues të humorit dhe, kur individi është më i qëndrueshëm emocionalisht, rekomandohet ndjekja e psikoterapisë për të kuptuar më mirë rrënjët e gjendjes dhe për të zhvilluar mekanizma përballimi.
Me këtë rast familja duhet të jete mbështetja kryesore për të kaluar këtë sfidë të çrregullimit të shëndetit mendor.



