
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, do të takohet sërish këtë javë me homologun grek, Nikos Kotzias, në lidhje me çështjen e delimitimit të zonave detare. Vetë Bushati thotë në një intevistë se për këtë çështje paralelisht do të ketë një takim tjetër të ekipit negociator.
“Kësaj jave do të ketë një takim tjetër mes meje dhe homologut Kotzias, ku do të vazhdojmë të diskutojmë dhe për mundësinë për të gjetur një marrëveshje për sa i përket delimitimit të zonave detare dhe besoj që paralelisht me takimin tonë do të ketë dhe një takim tjetër të ekipit negociator. Ky është një proces që ka hyrë në një fazë shpresoj të pakthyeshme, po që të dyja palët kanë nevojë për kohën e tyre, në mënyrë që të shkojnë drejt një marrëveshje të pranueshme, të drejtë dhe siç e kam theksuar, një marrëveshje e zbatueshme”, shprehet ai.
Bushati nuk dha detaje në lidhje me pikat që e mbajnë pezull arritjen e marrëveshjes, por shtoi se procesi është në një rrugë pa kthim.
“Parimet mbi të cilat udhëhiqet marrëveshja janë të qarta, sepse në fund të ditës janë trupëzuar dhe te autorizimi që ka lëshuar presidenti i Republikës për ekipin negociator. Natyrisht si në çdo negociatë, palët kanë pretendimet të ndryshme. Në disa raste këmbëngulet për t’u vendosur një precedent i caktuar, në disa raste të tjera për tu sqaruar çështje që nuk janë sqaruar dot në të shkuarën. Në këtë moment nuk mund të them më shumë për këtë çështje. Por besoj se nga analiza që i kemi bërë këtij procesi mund të thuhet që jemi në një rrugë pa kthim dhe shpresoj që në një të ardhme jo të largët ne ta mbyllim këtë marrëveshje, e cila nuk është e vetmja pikë siç e kam thënë e paketës që ne negociojmë e diskutojmë me palën greke, sepse paketa është shumë më e gjerë se kjo marrëveshje”, tha ai.
Ndërkohë, në lidhje me hipotezën e një lidhjeje mes arritjes së marrëveshjes dhe hapjen e bisedimeve për anëtarësimin në BE, Bushati thotë se këto janë shpikt të opozitës.
“Do ta shihni që të gjithë ata që kanë vendosur bast sikur qeveria apo Shqipëria është nën presion për të mbyllur një marrëveshje me Greqinë në funksion të datës 29 apo 29, e kanë thjesht gabim. Nuk ka pikë diskutimi që na intereson për të mbyllur gjithë çështjet e hapura me fqinjët tanë, dhe në rastin në fjalë me Greqinë, sikundër është në interesin e Greqisë për të mbyllur kapitujt me Shqipërinë. Kjo është një tezë që është hedhur në opinionin publik kryesisht nga opozita që nuk gjen bazë. Në rast se për një moment do të merrnim të mirëqënë faktin që ne jemi në një presion për të mbyllur një marrëveshje me palën greke për shkak të datës 28 dhe 29, kundërpyetja është po pala greke në çfarë presioni është? Pse do të kishte interes për ata mbyllur në datën 28 apo 29. Për të gjithë ata që mendojnë që Shqipëria me nisjen e bisedimeve për anëtarësim nuk do të ketë më standarde apo kushte për të plotësuar, unë mund t’u them që e kanë gabim. Vetëm në procesin e bisedimeve për anëtarësim mund të jenë të paktën 300 raste ku vende të ndryshme anëtare mund të vendosin në tryeze çështje të cilat potencialisht mund ta bllokojnë një vend në tryezën e bisedimeve, prandaj çështja e datës 28-29 është jashtë këtij diskutimi. Nga ana tjetër ne e kemi çuar të gjithë këtë proces në një pikë ku ekzistojnë të gjitha mundësitë që Shqipëria dhe Greqia të gjejnë zgjidhjen e përbashkët dhe për këtë çështje dhe të dalin nga tavolina bisedimeve me ndjesinë e mirë që secila palë ka fituar në këtë process”, shprehet Bushati.



