
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur procedim penal ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla për pastrim parash, lidhur me disa pasuri të paluajtshme në zotërim të tij. Në njoftimin e saj Prokuroria e Përgjithshme ka bërë të ditur se pas hetimeve të kryera ndaj ish-kreut të akuzës janë krijuar dyshime të arsyeshme se disa pasuri të paluajtshme në zotërim të Adriatik Llallës përbëjnë produkt të veprës penale, ndërsa ka kërkuar masën “sekuestro”, për pasuritë e mëposhtme.
Menjëherë pas kërkesës së prokuroririsë, me vendimin nr.179, datë 20.07.2018 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, është vendosur pranimi i kërkesës së Prokurorisë, vendosja e masës së sigurimit pasurore “sekuestro preventive” për pasuritë e paluajtshme të mëposhtme:
Apartament banimi, me sipërfaqe 67.2 m², ndodhur në Durrës;
Tokë arë, me sipërfaqe 4.500 m², ndodhur në Tiranë;
Tokë arë, me sipërfaqe 12.300 m², ndodhur në Tiranë;
Tokë arë, me sipërfaqe 3000 m², ndodhur në Tiranë;
Tokë arë, me sipërfaqe 2250 m², ndodhur në Tiranë”- thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë. Sipas saj bëhet fjalë për pasuri të paluajtshme në qytetin e Tiranës dhe Durrësit, të cilat kapin shifrën e 98.772.000 lekë.
Ish-prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla u tërhoq nga sistemi I drejtësisë, duke mos ju nënshtruar sitës së Vettingut, mbi të gjitha kriterit të pasurisë.
Por pavarësisht kësaj, ai nuk mundi t’i shpëtojë hetimeve nga prokuroria e krimeve të rënda, për pasuritë e paluajtshme, që kapin shifrat e gati një miliardë lekëve.
Ndërkohë më herët departamenti amerikan i Shtetit i ka ndaluar hyrjen në SHBA, me argumentin se ish-kryeprokurori Llalla është i përfshirë në raste të mëdha korrupsioni në Shqipëri.



