
Në Egjiptin e lashtë ka sunduar për njëfarë kohe një femër, ekzistenca e të cilës është zbuluar së fundmi. Një hulumtim i universitetit të Montrealit në Kanada ka zbuluar edhe një fenomen tjetër të panjohur në lidhje me sundimtarët e Egjiptit: diarkia, ndryshe praktika nëpërmjet të cilës dy persona me autoritet të barabartë ushtronin njëkohësisht pushtetin drejtues.
Një përmbledhje e këtij studimi që ka çuar në zbulimin në fjalë është publikuar në faqen e internetit të universitetit kanadez, ku theksohet se "dy gra, dhe jo një, mbretëruan Egjiptin në shekullin e 14 para Krishtit".
Gjatë pesëdhjetë viteve të fundit, njohësit e mirë të Egjiptit të lashtë, e dinin se vendin e ka sunduar një mbretëreshë, në periudhën midis vdekjes së faraonit Akhenaton dhe ngjitjes në fron të djalit të tij, Tutankhamun. Megjithatë, studiuesit për vite të tëra kanë qenë të ndarë për identitetin e kësaj figure misterioze.
Duke u mbështetur në hulumtimet epigrafike dhe ikonografike, historiania e artit, e specializuar në semiotikë, Valeri Angeno, ka arritur në përfundimin se Akhenaton, përveçse u martua me të bijën, Meritaton, për të përgatitur pasimin e fronit, i ka dhënë pushtetin edhe njërës prej 6 vajzave të tij, Neferneferuaton Tasherit.



