
Rreth 10 orë pas seancës së fundit të procesit, Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë vendimin për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Trupa gjykuese vendosi të dënojë ish-ministrin Tahiri me 5 vjet burg për shpërdorim detyre. Ndërkohë dy akuzat e tjera, “Trafik i lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup i strukturuar kriminal”, kanë rënë. Megjithatë, Tahiri nuk rrezikon të shkojë në burg, pasi dënimi ndajt tij konvertohet në shërbim prove. Gjatë kësaj kohe, ai nuk ka të drejtë të ushtrojë funksione publike.
Vetë Tahiri e cilësoi vendimin qesharak. Gjatë një prononcimi për mediat, ku u shfaq herë euforik, herë i buzëqeshur e herë ironik, Tahiri tha se do ta apelojë vendimin.
“Meqë kushërinjtë paskan përdorur emrin tim, unë kam shpërdoruar detyrën. Nuk e konsideroj fitore. Prisni deri nesër, edhe mua më duhet kohë që ta kuptoj këtë që ndodhi. Jam pa fjalë që si gjykata më quajti mua përgjegjës për faktin se kushërinjtë e mi përdorën emrin tim. Më jepni kohë ta rilexoj atë që dëgjova. Është vendim qesharak do të ishtë më fisnike t’i binin shkurt dhe të më dënonin për trafik droge. Do ta apeloj, kjo nuk ka diskutim. Isha më i qartë kur hyra se tani kur dola. Për të gjithë kushërinjtë idiotë që kemi në fis duhet të mbajmë përgjegjësi? U katandis kokoshi një thelë”, tha Tahiri.
Prokuroria ka kërkuar 12 vite burg në seancën paraardhëse. Vetë Tahiri deklaroi sot se nuk ka asnjë provë kundër tij.
Tahiri akuzohet për lidhje me grupin e Habilajve, të cilëve sipas akuzës u ka siguruar mbrojtje gjatë kohës kur ishte ministër i Brendshëm.



