Në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria shihet si pengesë e mundshme për nisjen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Për këtë hap duhet unanimiteti i 27 vendeve të BE-së, por vota pro e Bullgarisë është në diskutim. Bullgaria mund të votojë pro në rast se nuk arrihet marrëveshje me Bullgarinë, e cila këtë çështje e ka kushtëzuar me zgjidhjen e dallimeve për emrin e shtetit, gjuhën maqedonase dhe definimin e prejardhjes etnike të disa personaliteteve historike.
Ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, thotë se pala maqedonase po përpiqet për të gjetur një konsensus me palën bullgare.
“Natyrisht se parakusht për të hapur këtë mbledhje të parë ndërqeveritare, apo për nisjen e bisedimeve duhet të ketë konsensus për tekstin e bisedimeve, për të cilin Bullgaria ka vërejtjet e saja ku edhe i ka ngritur. Nuk është sekret e Bullgaria gjatë debatit në Bruksel ka kontesuar emrin e shkurtër të vendit dhe gjuhën. Ne po bëjmë gjithçka që është e mundur për të arritur një gjuhë të përbashkët, natyrisht në kuadër të kornizës që e ka paracaktuar marrëveshja, që për çështjet historike vendimi të merret nga komisioni i historianëve”, citohet Osmani nga REL.
Konferenca e Parë Ndërqeveritare për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut është planifikuar nga BE-ja të mbahet brenda këtij viti. Ndërkohë, për Shqipërinë, ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas, ka deklaruar dje se një hap i tillë do të varet nga kushtet.



