
Një 41-vjeçar ka përfunduar në pranga pas tentativës për t’iu shmangur urdhrit të policisë për kontroll duke iu drejtuar edhe armën efektivëve.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, në kuadër të kontrolleve të shtuara gjatë natës, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar "Neutralizimi".
Në kuadër të këtij operacioni, në Shëngjin, në mesnatë, shërbimet e Policisë kanë ndaluar për kontroll, automjetin që drejtohej nga shtetasi Luan Zabata, i cili ka krijuar dyshime tek punonjësit e Policisë, nga përgjigjet dhe sjellja e tij.
Për këtë shkak, është informuar se do t’i kryheshin kontrolle fizike dhe kontrolle në automjet, si dhe testi i alkoolit.
Në atë moment, ky shtetas ka kundërshtuar kryerjen e veprimeve procedurale duke nxjerrë një armë zjarri që mbante me vete dhe ua ka drejtuar punonjësve të Policisë, me qëllim që të largohej dhe të shmangte arrestimin.
Ndërhyrja e menjëhershme dhe profesionale e shërbimeve të Policisë, ka bërë të mundur neutralizimin e menjëhershëm të shtetasit Luan Zabata, i cili pas kryerjes së testit të alkoolit, ka rezultuar në gjendje të dehur, në masën 1.395 mg/l.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë me fishekë në fole, e gatshme për qitje, që mbahej pa leje nga ky shtetas.
Në përfundim të veprimeve procedurale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë arrestuan në flagrancë shtetasin Luan Zabata, 41 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.



