
Gjysma e popullsisë së Gazës po vdes nga uria ndërkohë që luftimet mes Hamasit dhe Izraelit vazhdojnë.
Kështu deklaron zëvendësdrejtori i Programit Botëror të Ushqimit të Kombeve të Bashkuara (WFP), Carl Skau, siç raporton BBC.
Vetëm një pjesë e vogël e furnizimeve të nevojshme kanë arritur në Rripin e Gazës dhe në disa zona nëntë në 10 familje nuk janë në gjendje të hanë çdo ditë, shtoi zyrtari, duke theksuar se kushtet në Gaza e kanë bërë dërgimin e ndihmave humanitare pothuajse të pamundur.
Skau komentoi se asgjë nuk e kishte përgatitur për “frikën, kaosin dhe dëshpërimin” që ai dhe ekipi i tij WFP hasën gjatë udhëtimit të tyre në Gaza këtë javë.
Hasëm konfuzion në magazina, në pikat e shpërndarjes me mijëra njerëz të uritur dhe të dëshpëruar, në supermarkete me rafte bosh dhe në strehimore të mbipopulluara me tualete të tejmbushura.
Presioni ndërkombëtar dhe një armëpushim i përkohshëm shtatë-ditor muajin e kaluar kanë lejuar disa ndihma shumë të nevojshme në Rripin e Gazës, por një kalim i dytë kufitar tani nevojitet për të përmbushur kërkesat.



