Seanca e sotme e Kuvendit ka në rend dite pr/ligjin “Për falimentimin”, që synon të caktojë rregulla të detyrueshme dhe të barabarta, si dhe të lehtësojë zgjidhjen dhe shlyerjen e detyrimeve të debitorit brenda ose jashtë procedurës së falimentimit.
Kjo është dhe arsyeja, që pr/ligji në fjalë shoqërohet dhe me ndryshime në Kodin Civil dhe në Kodin e Procedurës Civile, që gjithashtu janë pjesë e axhendës së seancës së sotme.
Në punimet e Parlamentit përfshihet gjithashtu dhe një shtesë në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Shërbimit të Përmbarimit Gjyqësor”, si dhe disa ndryshime në ligjin “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”.
Projektligji “Për mbrojtjen e bimëve” dhe ai “Për prodhimin biologjik, etiketimin e produkteve biologjike dhe kontrollin e tyre”, pjesë e përafrimit me legjislacionin e BE-së, janë dy draftet e tjera që i propozohen seancës parlamentare të radhës.
Krahas tyre, debatet politike pritet të sundojnë diskutimin e sotëm, sikurse paralajmëroi dje dhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i cili deklaroi se opozita do të vazhdojë të denoncojë keqeverisjen në Kuvend.



