Kriza socio-ekonomike e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit mund të ketë pasoja katastrofike që shkojnë përtej shkatërrimit të shkaktuar direkt nga virusi, paralajmëroi UNICEF të hënën.
Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, agjencia e Kombeve të Bashkuara përgjegjëse për sigurimin e ndihmave humanitare për fëmijët në të gjithë botën, tha në një deklaratë se "6.7 milionë fëmijë më shumë, nën moshën pesë vjeç mund të vuajnë nga mungesa e ushqimit në vitin 2020 si rezultat i ndikimit socio-ekonomik të pandemisë COVID-19".
UNICEF i referohet një analize të botuar në revistën mjekësore “The Lancet”, e cila shqyrtoi ndikimet e krizës COVID-19 në kequshqyerjen e fëmijëve dhe vdekshmërinë e lidhur me ushqimin.
Edhe para pandemisë COVID-19, sipas UNICEF, 47 milion fëmijë në të gjithë botën vuanin nga kequshqyerja, në nivele të tilla sa t’u rrezikohej shëndeti, rritja dhe jeta. Nëse nuk ndërmerret asnjë veprim, kjo shifër mund të rritet në afro 54 milion gjatë vitit.
Në studimin e botuar të hënën, studiuesit parashikojnë që numrin e fëmijëve që vuajnë nga kequshqyerja mund të rritet me 14.3% në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme këtë vit.
"Kanë kaluar shtatë muaj nga rastet e para të COVID-19 dhe është gjithnjë e më e qartë se pasojat e pandemisë po shkaktojnë më shumë dëm tek fëmijët sesa vetë sëmundja," tha Henrietta Fore, drejtoreshë ekzekutive e UNICEF, në një deklaratë.
“Shkalla e varfërisë së familjeve dhe pasigurisë ushqimore janë rritur. Shërbimet thelbësore të ushqimit dhe zinxhirët e furnizimit janë ndërprerë. Çmimet e ushqimit janë rritur. Si rezultat, cilësia e dietës ushqimore të fëmijëve do të bjerë dhe nivelet e kequshqyerjes do të rriten".
Rritja e kequshqyerjes së fëmijëve do të përkthehej në mbi 10 000 vdekje shtesë në muaj, sipas studimit. Më shumë se 50% e këtyre vdekjeve do të ndodhin në Afrikën Sub-Sahariane.
Në një koment lidhur me këtë parashikim, drejtuesit e UNICEF, Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë, Programi Botëror i Ushqimit dhe Organizata Botërore e Shëndetit paralajmëruan se rritja e kequshqyerjes te fëmijët është "vetëm maja e ajsbergut".
Në mënyrë potenciale, kriza mund të krijojë forma të tjera të kequshqyerjes te fëmijët dhe gratë.
Agjencitë humanitare kanë kërkuar veprime të menjëhershme për të mbrojtur të drejtën e fëmijëve për t’u ushqyer shëndetshëm gjatë pandemisë dhe në vazhdim.
"Ne nuk mund të lejojmë që fëmijët të jenë viktimat e anashkaluara të pandemisë COVID-19," tha kreu i UNICEF.
"Ne duhet të mendojmë në terma afatshkurtër dhe afatgjatë, në mënyrë që të adresojmë jo vetëm sfidat e paraqitura nga pandemia dhe ndikimet dytësore të saj tek fëmijët, por gjithashtu të përcaktojmë një të ardhme më të ndritshme për fëmijët dhe të rinjtë."



