Komuna e Prishtinës sfidon qeverinë e Kosovës në masat mbështetëse për bizneset e dëmtuara nga pandemia. Me një fond prej 5 milionë eurosh, Komuna e Prishtinës do të mbështesë bizneset e kryeqytetit, të cilat mund të aplikojnë për ndihmë në formë granti.
Sipas kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, në më pak se dy orë nga lançimi i kësaj nisme kanë aplikuar mbi 500 biznese për të përfituar nga fondi.
Sipas Ahmetit, ky është një alarm për qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës.
“Për më pak se dy orë, mbi 500 biznese kanë aplikuar në programin për grante për mikrobiznese dhe biznese të vogla të komunës së Prishtinës. Në qoftë se kjo nuk është alarm për Qeverinë e Kuvendin, nuk e di si do të zgjohen”, ka shkruar ai në Tuiter.



