Partia Demokratike thotë se fituesi i garës për ndërtimin e rrugës Milot-Fier është i paracaktuar. Sipas saj, koncesioni do t’i jepet kompanisë greke GEK Terna.
“Rruga 1.2 miliardë euro, Milot-Fier, e gjatë 115 km, ku 62 km janë të përfunduara, është koncesion me fitues të paracaktuar. Ajo është kompania greke GEK Terna. Gjithçka tjetër është gënjeshtër për të mbuluar hajdutin, siç ka ndodhur këto 7 vjet me çdo projekt PPP, të ideuar dhe zbatuar nga Rama”, shprehet ish-deputetja Jorida Tabaku në një postim në rrjetet sociale.
Sipas Tabakut, kjo është një tjetër histori vjedhjeje me një barrë në kurrizin e shqiptarëve të varfëruar që do të paguhet për 35 vjet me radhë si PPP.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi hapjen e garës për projektin tetë ditë më parë. Segmenti Milot-Fier është pjesë e korridorit Adriatiko-Jonian. Me një gjatësi prej 115 km, rruga do të përshkohet për 75 minuta dhe do të jetë me pagesë.



