
I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në një postim në Twiter tha se pret që të palët të gjejnë gjuhë të përbashkët.
Sot dhe nesër, unë do të mbaj takime me delegacionet e Kosovës dhe Serbisë të udhëhequr nga Kryenegociatorët e tyre Besnik Bislimi dhe Petar Petković. Ka shumë çështje urgjente për t'u diskutuar dhe unë pres të gjej një mirëkuptim të përbashkët në rrugën përpara.
Ndërkohë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se në këto takime do të diskutohen “çështjet aktuale” dhe për “rrugën përpara në vazhdimin e dialogut”. Ai ka thënë se blloku pret që palët të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialog, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me vizitat zyrtare.
Palët janë pajtuar për modalitete të qarta për shqyrtimin dhe zbatimin e vizitave zyrtare dhe kjo marrëveshje nuk do të duhej të politizohej. Vizitat nga të dyja palët duhet të bëhen në atë mënyrë që ndihmon procesin e normalizimit të raporteve dhe kontribuon në punën e përgjithshme në kuadër të dialogut. U bëjmë ftesë palëve që të adresojnë dhe zgjidhin të gjitha mospajtimet, përfshirë vizitat zyrtare, në kuadër të dialogut dhe të promovojnë atmosferë e cila është në përputhje me pajtimin, stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin në dobi të qytetarëve.
Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës Përparim Kryeziu deklaroi për mediat në Kosovë se në takim bilateral do të diskutohet për zbatimin e Marrëveshjes mbi energjinë dhe atë të tabelave të veturave, si dhe për çështjen e të zhdukurve me forcë. Kurse në atë trelateral, është shprehur ai, pritet që të diskutohet vetëm për çështjen të zhdukurve me forcë, si e vetmja temë për të cilën është rënë dakord të flitet.
Pas këtij takimi të dytë në Bruksel pritet që deri në fund të shtatorit të përgatitet një tjetër takim i nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.



