Kujdesi dentar në Shqipëri futet në kategorinë e shërbimeve të kushtueshme. Sipas një ankete të Komisionit Evropian mbi cilësinë e jetës disa muaj më parë, 77% e të anketuarve shqiptarë pranojnë se e kanë shumë të vështirë që të përballojnë shërbimet e kujdesit dentar, duke u renditur kështu të parët në Europë.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu, e sheh si të domosdoshëm futjen e shërbimit stomatologjik në skemën e mbulimit social të kujdesit shëndetësor. Në një intervistë për Tema TV, Shehu shprehet se është momenti që procedurat kryesore stomatologjike të përfshihen në skemën e shërbimeve shëndetësore.
“Është lënë në harresë kujdesi stomatologjik. Është jashtë çdo kontrolli, jashtë çdo mbulese sociale. Ka ardhur momenti që shqiptarët të kenë edhe një mbulesë sociale të paktën për procedurat kryesore në sistemin stomatologjik të vendit”, deklaroi Shehu.
Gjatë këtij viti ka pasur një rritje të atij që njihet si turizëm dentar në vendin tonë. Megjithatë, sipas sa i përket shërbimit stomatologjik, ish-ministri i Shëndetësisë ngre shqetësimin e materialeve të konsumit që përdoren në Shqipëri. Shehu thotë se këto materiale janë jashtë kritereve, çka e bën imediate nevojën për kodifikimin dhe rregullimin e tyre.
“Kjo është e lidhur edhe me materialet e konsumit. Ato janë jashtë çdo kriteri e standardi dhe gjejmë materiale konsumi nga më të degraduarat që nuk përdoren në asnjë vend të zhvilluar. Ka nevojë për kodifikim dhe standardizim, kontroll në sistemin shëndetësor shqiptar”, theksoi Shehu.
Në vendin tonë, shërbimi stomatologjik publik ofrohet falas dhe i pjesshëm për kategori që përfshijnë personat nga mosha 0 deri 18 vjeç; të sëmurët e shtruar dhe ata që trajtohen në institucione spitalore publike, për mjekime urgjence dhe kategori të veçanta individësh si veteranët apo ushtarakët. Pjesa tjetër e qytetarëve janë të detyruar t’u drejtohen klinikave private.
Intervista e plotë e ish-ministrit të Shëndetësisë dhe deputetit të PD dhënë për "Tema Tv"



