Në godinë në qytetin e Shkodrës që nga kati i tretë i objektit, është i zbuluar dhe në qiell të hapur, deri në katin e parë ku më parë ushtronin aktivitet disa biznese, godina është aktualisht e përmbytur nga uji dhe e braktisur. Orenditë dhe pajisjet janë shkatërruar, ndërsa muret janë dëmtuar rëndë nga lagështia. Sipas ish-banorëve, shkaku kryesor i situatës është shembja e çatisë nga Bashkia, pa u marrë masa paraprake për të shmangur dëmet.
Banorët deklarojnë se prona e tyre është shkatërruar plotësisht, nuk kanë më ku të jetojnë dhe nuk kanë marrë asnjë përgjigje apo përgjegjësi nga institucionet. Njëri prej tyre, pensionist, shprehet se nuk ka mundësi ekonomike për të përballuar humbjet. Dëmi është i konsiderueshëm pasi, përveç objektit, janë shkatërruar edhe investime të mëparshme në riparime dhe mobilim.
Në Bashkinë Shkodër, përfaqësuesja e Marrëdhënieve me Publikun premtoi një përgjigje, por pas disa orësh pritjeje u justifikua se për shkak të situatës së rënduar nga reshjet dhe përmbytjet, grupet e punës ishin në terren. Edhe pas kontakteve të mëvonshme, nuk u dha asnjë përgjigje zyrtare. IMT pranë Bashkisë së Shkodrës i është drejtuar gjykatës për të kërkuar akses në objekt me qëllim vijimin e prishjes.
Gjykata e ka rrëzuar kërkesën, duke arsyetuar se çështja nuk mund të zgjidhet me një vendim për sigurim padie në kuadër të një procesi civil, as tani dhe as në të ardhmen.Në vendim theksohet se një masë e tillë do të cenonte drejtpërdrejt garancinë e objektit dhe do të sillte dëme të pariparueshme për palën e paditur. Për këtë arsye, gjykata ka vendosur pushimin e kërkesës së IMT Shkodër për marrjen e masës së sigurimit të padisë, duke e cilësuar atë si kërkim që nuk mund të ngrihet.
Gjykata ka urdhëruar gjithashtu njoftimin dhe dorëzimin e një kopjeje të këtij vendimi palës kërkuese, pra IMT – Shkodër. Ndërkohë, në një intervistë, drejtori i IMT Shkodër deklaroi se shtetasi Agim Roshkodol ishte njoftuar për ndërhyrjen, por nuk kishte pranuar të firmoste procesverbalin, i cili sipas tij ishte dërguar edhe me postë dhe më pas lënë poshtë derës. Ai pranoi se shembja e çatisë u krye me vinç, pasi nuk u lejuan të hynin nga brenda. Avokati Erald Aga deklaron se ndërhyrja e bere është në shkelje nga institucionet pasi duhet te ishte bere me pare një raport ku të evidentohej demi qe do te shkaktohej ne rast ndërhyrje.
Në të tilla raste demi është shume here me i madh sesa përfitimi dhe këto janë raste shume specifike për të vendosur me kaq urgjence. Sigurisht që IKMT dhe Bashkia e Shkodrës janë institucionet përgjegjëse për dëmin dhe si pasojë janë ato të cilat duhet të bëjnë edhe përllogaritjen e dëmit të shkaktuar dhe në finale edhe kompesiminn e këtyre banoreve.



