Deputetja Mimoza Hafizi i është përgjigjur në foltoren e Parlamentit një komenti që kryeministri Rama bëri dy ditë më parë lidhur me largimin e saj nga PS-ja. Në një emision televiziv, Rama u shpreh se Hafizi “le të shkojë të hajë përshesh në partinë e Blushit”. Hafizi në fjalën e saj sot tha se ka një ndryshim të madh mes “përsheshit” të saj dhe atij të Ramës.
“Zoti kryeministër, unë jam njeri i librit. Shkruaj libra që mbushin shpirtin dhe hapin mendjen. Ju nuk e doni dijen. Përsheshi im (dija) dhe kanabisi e kanë një të përbashkët. Të dy e ngrenë njeriun në qiellin e lumturisë, por dija është fluturim i sigurt, kurse kanabisi të trullos për pak çaste, të krijon iluzione dhe të përplas në botën e errët të krimit”, tha ajo.
Hafizi tha se është e bindur në ndarjen e saj nga PS-ja dhe shtoi se Rama nuk i ka mbajtur premtimet që u ka dhënë qytetarëve.
“Ju e përbuzni shkencën. Një qeverisje që e repsekton nuk do të lejonte mbetjet e huaja. Unë jam në këtë Parlament për të mbrojtur dijen. Prandaj ne u ndamë secili në rrugën e vet. Unë zgjedh dijen, ju vazhdoni për ku jeni nisur, por jo për atë që ju kishit premtuar shqiptarëve”, tha ajo.
Ndërsa lidhur me sistemin e pranimeve në universitet, Hafizi tha se Ministria e Arsimit i ka mashtruar studentët, duke krijuar një sistem që i jep mundësinë të shkollohet atij që ka para.
“Kryeministri shpalli dhe sot se universitetet private dhe publike janë njëlloj. Për të po, por jo për prindërit që nuk ua mban xhepi të paguajnë mijëra euro. Reformë është kjo që lejon të shkollohen më të pasurit? Goditja e kësaj qeverie paska qenë më dinakja. Ju mund të gëzoheni se studentët nuk janë më në rrugë. Ju e quani sukses se i tulatët dhe i stepët. Kjo është ligësi. Ka zero ndryshim. Universitetet tona janë prej muajsh të jashtëligjshme, por kjo nuk ju skuq as ju zverdh. Shqipëria nuk mund të ketë progres pa arsim. Libri dhe mendja janë çelësat e së ardhmes së këtij vendi”, tha ajo.



