
Duke folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, analisti Mentor Nazarko tha se Kosova rrit shanset e veta në dialog nëse forcon marrëdhëniet me Perëndimin dhe Shqiperinë. I ftuar në emisionin “Arnautistan” nga Mustafa Nano në MCN TV, Nazarko tha në lidhje me padinë ndaj Serbisë për genocid se në 22 vjet Kosova nuk ka grumbulluar materiale me vlerë legale, për të ngritur padi ndaj Serbisë.
Kosova nuk ka mbledhur prova materiale për padi ndaj serbëve. Kosova nuk ka një regjistër të të vrarëve dhe të plagosurve- të vetmin e ka përgatitur një aktiviste serbe si Sonja Biserko. Ideja e padisë komplikon dialogun dhe mund të krijoj një zhurmë në rrjete, por vështirësisht sjell diçka në terma realë.
Shqipëria ka kohën për të bërë një politikë të re të jashtme duke u fokusuar tek partitë multietnike. Në Serbi ku ka ende diskriminim të fuqishëm ndëretnik si tregon raporti i Sonja Biserkos për « pastrimin etnik me mjete administrative », ka kuptim të ketë dy parti monoetnike më e shumta. Retorika kundër kombeve apo shteteve të tjerë, kur Shqipëria nuk ndikon sa duhet sipas një strategjie qe ka në qendër Tiranën, në sintoni me Prishtinën, është e prapambetur.
Është prapambetje e një pjese të madhe të elitës apo të një brezi të vjetër. Mendoj që rinia e ditur nuk është këtu, rinia e paditur është peng i këtyre qasjeve që nuk kanë prodhuar përparim të statusit të shqiptarëve.
Gjithashtu ai tregon se i ka bërë përshtypje një fjalim i mbajtur nga Ibrahim Rugova në Parlamentin Europian, që konfirmonte bashkëpunimin me Perëndimin dhe i projektuar kah e ardhmja.
Më ka bërë përshtypje Ibrahim Rugova në një fjalim në 2001- dy vjet ps luftës kur plaget ishin ende të hapura- në Parlamentin Europian. Ai nuk foli për Gjenocidin, por jo se e neglizhonte. Kishte një rrugë që kosovarët duhet ta ndiqnin, ajo legale : të mblidheshin materiale, dëshmi, prova, etj sipas një modeli- atij kroat apo bosnjak, apo hebre. Kosova nuk ka një institut të kujtesës, si hebrenjtë. Këta të fundit vazhdojnë të merren ende me genocidin, por ama bëjnë dhe biznes.
Duke ju referuar shanseve të Kurtit për mbijetesë pas 4 vjetësh, Nazarko tha se Vetëvendosja e fortë nga rrethanat, i kontribuon fuqishëm rotacionit të elitave, duke sjellë një frymë të re moraliteti. Sa i takon dialogut, me gjithë të metat-Kurti ka shfaqur dy cilësi të mira.
E para është, kokëfortësia për të mos implementuar asosacionin e komunave, nëse është taktikë negociale është e mirë. E dyta ai ka folur për reciprocitet. Pra ajo që kërkoni për serbët në Kosovë, duhet ta kenë në Serbi edhe kosovarët.



