Ai është figura më e njohur e ekstremit të djathtë në Holandë. Geert Wilders njihet për qëndrimet e tij kundër emigrantëve dhe myslimanëve. Ai ka rikthyer planin për një konkurs karikaturash të profetit Muhamed, më shumë se një vit pasi e anuloi një event të tillë nga frika e sulmeve.
Në një postim në Tuiter të shtunën, Wilders u bëri thirrje njerëzve të dërgojnë karikaturat e tyre të Muhamedit.
"Liria e fjalës duhet të mbizotërojë mbi dhunën dhe ligjet islamike", shkroi lideri i partisë më të madhe opozitare në parlamentin holandez.
Wilders anuloi një konkurs të ngjashëm në gusht të vitit të kaluar, pasi policia arrestoi një person, i cili kishte kërcënuar se do ta vriste për planin e tij.
Në atë kohë, planet për të mbajtur konkursin nxitën demonstrata të mëdha në Pakistan, të organizuara nga partia islamike Tehreek-e-Labbaik, e cila u bëri thirrje vendeve islamike që të ndërpresin të gjitha lidhjet me Holandën.
Feja myslimane e ndalon portretizimin e Profetit Muhamed. Në të gjitha rastet e ngjashme, shumica e besimtarëve myslimanë i kanë cilësuar fyese karikaturat e Muhamedit. Madje ka pasur edhe sulme terroriste të nxitura pikërisht prej tyre, siç ishte rasti i revistës satirike “Charlie Hebdo” në Francë pak vite më parë.



