Gjyqtarja e Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea ka marrë 50 mijë euro, duke dhënë të martën e shkuar një vendim gjyqësor në favor të Ilia Çabiri dhe Eleni Lino, të cilët ishin në një konflikt gjyqësor për një pronë në zonën e Butrintit në Sarandë.
Momenti kur 50 mijë euro paguhen nga sekseri Petraq Dashi tek bashkëshorti i gjyqtares Odhise Andrea, që rezulton të jetë dhe këshilltar i komisionit të Sigurisë në Kuvendin e Shqipërisë, është filmuar nga strukturat policore me urdhër të kryeprokurorit Llalla.
Menjëherë pas deklarimit të vendimit, gjyqtarja Andrea në rrethana ende të pa qarta, është vënë në dijeni të hetimit të Prokurorisë së Përgjithshme,e së bashku me bashkëshortin e saj, ditën e premte janë larguar nga vendi në drejtim të Italisë me target, rreth orës 23: 00. Bashkëshortët Andrea janë shpallur në kërkim ndërsa Prokuroria po punon për të gjetur dekonspiruesin e operacionit.
