
Drejtuesi i SPAK, Arben Kraja ka bërë një deklaratë për media këtë të martë në konferencën e zhvilluar në kuadër të 30-vjetorit të krijimit të Direzione Nacionale Antimafia dhe në funksion të bashkëpunimit mes këtyre dy institucioneve.
Sipas tij, krupet kriminale kanë zgjeruar aktivitetin e tyre deri në vendet ku prodhohet droga, madje edhe në Dubai.
“Grupet kriminale kanë ndryshuar aktivitetin kohët e fundit. Kanë shtrirë aktivitetin në vendet ku prodhohet droga, ku tregtohet madje edhe në Dubai”, është shprehur kreu i SPAK.
Tema e diskutimit në këtë konferencë ka qenë “Krimi i organizuar ndrëkombëtar, sistemi i luftës kundër mafias dhe bashkëpunimi gjyqësor”.
Për këtë, fokusi i fjalës së Krajës ka qenë tek grupet kriminale dhe në aktivitetin e tyre në vendin tonë. Ndonëse është treguar i rezervuar gjatë fjalës së tij, Kraja sërish nuk ka nguruar të vërë në dukje se këto grupe janë bërë shumë të egër.
“Gjithashtu grupet kriminale janë bërë shumë të egër. Flas për shkak të vrasjeve të ndodhura kohët e fundit Teknologjia që ata përdorin, siç janë telefonat apo edhe paratë e pista. Asnjë shtet i vetëm nuk e lufton dot këtë aktivitet të organizuar kriminal. Nga bashkëpunimi me SPAK skuadra e Barit ka arrestuar mbi 120 persona dhe ka sekuestruar rreth 7 ton droge”, u shpreh Kraja.



