Ish-drejtoresha e AKSHI-t Mirlinda Karaçanaj paraqitet në SPAK (VIDEO)

Ish-drejtoresha e AKSHI-t Mirlinda Karaçanaj paraqitet në SPAK (VIDEO)

Ish-drejtoresha e AKSHI-t Mirlinda Karaçanaj është paraqitur paraditen e kësaj të mërkure në SPAK.

Ditën e djeshme në Prokurorinë e Posaçme u paraqit ish-numri i dy i AKSHI-t për t’u marrë në pyetje si person nën hetim. 

Dosja voluminoze e SPAK-ut mbi skandalin e tenderave në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka zbuluar një rrjet të mirëfilltë kriminal që vepronte brenda zyrave më të larta të shtetit. Ndërkohë që vëmendja publike është përqendruar te titullarja Mirlinda Karçanaj dhe takimet e saj sekrete në zyrat e "EA Tobaco", një rol kyç në këtë skemë dyshohet se ka luajtur numri dy i institucionit, Zëvendësdrejtoresha e Përgjithshme, Hava Delibashi. MCN ka analizuardosjen e Gjykatës së Posaçme dhe na sjell detaje konkrete mbi rolin e saj si "filtër administrativ" për tenderat e manipuluar, mbrojtjen e saj në gjykatë, dhe rrezikun e madh që ajo paraqet për integritetin e të dhënave shtetërore.


-Hava Delibashi, me profesion juriste dhe me detyrë Zëvendësdrejtoreshë e Përgjithshme e AKSHI-t, dyshohet nga Prokuroria e Posaçme si një hallkë thelbësore e grupit të strukturuar kriminal që monopolizoi prokurimet e teknologjisë në Shqipëri. Mbi të rëndojnë akuza të rënda, përfshirë "Shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera" në formën e bashkëpunimit të veçantë dhe "Kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale".


Sipas dosjes hetimore, skema e grupit konsistonte në vendosjen e kritereve kufizuese dhe të paligjshme, posaçërisht atij të "Certifikatës së Sigurisë Industriale" (CSI), për të përjashtuar nga gara çdo operator që nuk ishte i paracaktuar nga dyshja Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri. Në këtë mekanizëm përjashtues, rolin e "vulës zyrtare" dyshohet se e luante edhe Hava Delibashi, e cila ka miratuar dokumente kyçe që i hapnin rrugë manipulimit.


Referuar provave shkresore të sekuestruara nga SPAK, Zv.Drejtoresha Delibashi figuron e përfshirë direkt në disa procedura të rëndësishme. Për shembull, me datë 20 janar 2025, ajo ka nënshkruar "në mungesë dhe me urdhër" urdhrin numër 16 për ngritjen e grupit të punës për përllogaritjen e fondit limit dhe hartimin e kritereve të tenderit "Mirëmbajtja e sistemit elektronik të vizitave në burgje". Më herët, me urdhrin numër 412 të datës 13 dhjetor 2024, ajo ishte caktuar pjesë e grupit të punës që do të përcaktonte standardet e pajisjeve kompjuterike për të gjithë administratën shtetërore për vitin 2025.


Një tjetër provë e fortë që tregon dijeninë dhe veprimet e saj administrative është miratimi i një memoje zyrtare të datës 20 maj 2025, e hartuar nga përgjegjësja Helena Çupi. Përmes kësaj memoje argumentohej pikërisht dërgimi i listave të operatorëve ekonomikë të pajisur me certifikata sigurie, instrumenti kryesor që përdorej për të asgjësuar konkurrencën. Gjithashtu, emri i saj figuron si marrëse "për dijeni" e procesverbalit të datës 24 korrik 2025, ku trajtohej ankesa e kompanisë konkurrente "ABS" për heqjen e kritereve diskriminuese të sigurisë.
Përballë trupës gjykuese, mbrojtja e Hava Delibashit tentoi ta minimizonte rolin e saj. Avokati i saj, Bledar Dervishaj, pretendoi se organi i akuzës e ka bërë kërkesën për "arrest shtëpie" bazuar vetëm në funksionin e saj dhe jo në akte konkrete. Sipas mbrojtjes, Delibashi nuk kryente asnjë veprim aktiv, por thjesht përcillte dokumentet pasi ato ishin përpiluar. Vetë Delibashi, në fund të seancës gjyqësore, deklaroi shkurtimisht: "Jam shumë dakort me qëndrimin e avokatit... 

veprimet i bëja nëpërmjet akteve administrative, për të cilat merrja detyra nga titullari". Ajo theksoi se merrte dijeni për procedurat vetëm kur vinin ankesat ose kur bëhej ndarja e punës nga drejtoresha Karçanaj.


Megjithatë, për Gjykatën e Posaçme, justifikimi i zbatimit të urdhrave të eprorit nuk e zhvesh atë nga përgjegjësia, përkundrazi, e thekson rrezikun që ajo mbart. Trupa gjykuese konstatoi se caktimi i masës së sigurisë "Arrest në shtëpi" është i domosdoshëm, duke renditur rreziqe madhore si për hetimet e SPAK, ashtu edhe për vetë institucionin.


Nga njëra anë, Gjykata argumenton se duke qenë në një "pozitë drejtuese në institucionin e AKSHI-t", Hava Delibashi dhe eprorja e saj kanë mundësinë të ndikojnë direkt te dëshmitarët e mundshëm që janë vartësit e tyre, si dhe të prishin ose zhdukin dokumentacionin thelbësor shkresor dhe kompjuterik të procedurave të tenderimit. Frika e zhdukjes së provave bëhet më e madhe kur kujtojmë se si anëtarët e këtij grupi shpreheshin në përgjime të fshehta: "I sistemoj unë gjërat... pam pam pam", duke pastruar gjurmët.


Nga ana tjetër, përfshirja e Zëvendësdrejtoreshës në një rrjet të strukturuar bashkëpunëtorësh ngre një alarm të madh për të ardhmen dhe integritetin e AKSHI-t. Ky institucion ka monopolin e mirëmbajtjes së gjithë arkitekturës digjitale dhe të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë. Fakti që dy drejtueset më të larta të këtij institucioni dyshohet se organizonin gara fiktive në bare të errëta dhe manipulonin rregullat e sekretit shtetëror për t'i dhënë miliona euro miqve të tyre, lëndon rëndë besueshmërinë e shtetit.


Rasti i Hava Delibashit tregon se korrupsioni nuk ishte një rast i izoluar i një individi, por një qark i mbyllur dhe i miratuar në çdo shkallë burokratike. Hetimet e SPAK-ut vijojnë, ndërkohë që masat kufizuese pritet të parandalojnë ndërhyrje të mëtejshme në sistemet shtetërore nga zyrtarët e akuzuar.

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy