
Bimët mjekësore dhe aromatike tashmë janë një industri frytdhënëse në zhvillimin ekonomisë. Kultivimi, mbledhja apo përpunimi i tyre është kthyer në një mundësi të mirë fitimprurësë për shumë fërmerë që i eksportojnë nga Ballkani në Europë.
Lulja e Darvinit apo siç njihet ndryshe dhe me emrin ‘Primula e pranverës’ është bimë mjekësore që mblidhet në malet e Greqisë, sikurse janë dhe malet në kufi me Shqipërinë.
Por ajo rritet vetëm në pjesën greke, çka ka bërë që banorët aty t'i kushtojnë vëmendje si një mundësi e mirë për të fituar të ardhura. Muajt e fundit, ata kanë denoncuar një femomen që sipas tyre u ka cënuar tregun: mbledhjen ilegale të këtyre bimëve në malet greke nga shqiptarët, për t'i shitur më lirë deri në tregjet europiane.
"Grupe të organizuara ngrenë kampe në mal dhe mbledhin qindra kuintalë bimë dhe i marrin në shtëpitë e tyre", thotë Janis Spiroi për AFP. Spiroi zotëron një biznes alpin në malin e Gramozit, pranë kufirit me Shqipërinë. Ndërkohë që shefi i departamentit pyjor, Nikos Papaefthymiou, pohon se fenomeni është rritur veçanërisht këtë vit, duke bërë që të shtohet edhe numri i shqiptarëve që mbledhin lulen e verdhë iegalisht. Një zyrtar i policisë greke thotë se ka patrullime në kufi, por është e vështirë që të kapen.
18 persona janë arrestuar muajin e kaluar me 600 kilogramë bimë mjekësore Lulja e Darvinit, e cila njihet për vetitë e saj kurative për infeksionet në rrugët e frymëmarrjes dhe urinare. Sikurse thonë vetë fermerët, ajo shitet online me 20 euro për 120 gramë, ose në "Amazon" 25 bime shiten për 34 euro.
Sipas tyre, shqiptarët i kanë ulur vlerën duke e shitur një kilogram për maksimumi 20 euro te tregtarët që e eksportojnë më pas në Gjermani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në lidhje me këtë denoncim, ende nuk patur një reagim nga pala shqiptare, ndërsa problemi rezulton tashmë i njohur për dy shtetet.



