Pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve do të dyfishohen. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, tha dje në Komisionin parlamentar të Ligjeve se, pas përfundimit të procesit të vetingut për gjyqtarët dhe prokurorët, pagat e tyre do të rriten 100 për qind, shkruan “Panorama”.
“Pagat e institucioneve të Drejtësisë pas vetingut rriten me 100%, që është një rritje page rekord me atë që ofron buxheti, por dhe një set institucionesh që bën të mundur funksionimin e një sistemi të ri drejtësie”, tha Ahmetaj. Para deputetëve të Komisionit të Ligjeve, ku ishin prezentë edhe demokrati Gent Strazimiri dhe demokristiani Nard Ndoka, ministri i Financave prezantoi pjesën e buxhetit që i takon zbatimit të Reformës në Drejtësi. “
Në negociatë me Komisionin e posaçëm të Reformës në Drejtësi, ne kemi vendosur koston bazë që do të ketë Reforma në Drejtësi sa i përket krijimit të institucioneve të reja, financimit të tyre në vazhdimësi, dhe rritjes së pagave të sistemit të drejtësisë, i cili në kuadrin e tri viteve në vazhdim hyn në trajektore të plotë, me një kosto rreth 1.82 miliardë lekë të rinj”, tha ministri i Financave.
Për kreun e Financave, duke nisur nga buxheti i vitit të ardhshëm, në sistemin e drejtësisë nis një epokë e re.



