
Profesori i historisë, Irakli Koçollari, i ftuar në emisionin “Arnautistan” të Mustafa Nanos në MCN TV, foli gjerësisht për figurën komplekse dhe ndritur të Ali Pashë Tepelenës, duke sjellë referenca nga studiues të njohur botërorë.
Sipas Koçollarit, shumë historianë të huaj e kanë vlerësuar Ali Pashën si një nga figurat më të rëndësishme të Ballkanit në shekullin XIX, për shkak të synimit të tij për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane dhe për të krijuar një strukturë të pavarur politike dhe kulturore.
Unë i referohem burimeve kombëtare historike dhe Viktor Hygoi thotë se “Ky shekull, ndryshe nga çfarë mendojnë perëndimorët për lindorët, pati edhe në Lindje gjenitë e vet. Nëse Evropa pati një Bonapart, edhe Lindja pati një Ali Pashë. Ata qëndrojnë krah për krah si pantera me luanin, si skifteri me petritin. Të dy u ngritën nga hiçi, pa prejardhje fisnike, dhe arritën majat e perandorive, njëri krijoi një perandori në Evropë, tjetri një ‘perandori brenda perandorisë osmane’. Dhe të dy patën një fund të ngjashëm.
Më tej, profesori përmendi historianin francez Bartold, i cili ka theksuar se:
“Edhe sikur të mos kishte bërë asgjë tjetër, Ali Pasha u dha shqiptarëve dhe grekëve diçka të madhe kurajon për t’u ngritur kundër një perandorie shekullore dhe idenë e nacionalizmit, për t’u shkëputur e për të krijuar shtetet e tyre kombëtare”.
Koçollari theksoi se Ali Pashë Tepelena jo vetëm që shfaqi ambicie politike, por edhe ndërtoi një qendër të rëndësishme kulturore dhe arsimore në Janinë.
Aliu në atë kohe u bë shumë i famshëm, ai atë kohë e ktheu Janinën në qendër të civilizimit helen sepse ringjalli figurat e antikitetit dhe filozofisë, duke hapur shkolla me karakter fetar dhe laik, si dhe duke ringjallur interesin për filozofinë dhe figurat e antikitetit helen.
Ali Pasha ishte i pari në Ballkan që krijoi një administratë të mirëfilltë dhe një zyrë shtetërore, duke ndërmarrë lëvizjet e para separatiste dhe duke hedhur bazat e ideve të shtetit të pavarur kombëtar.



