
Një diplomat amerikan në pension doli të hënën para gjykatës në Miami, pasi po hetohet për një rast të bujshëm spiunazhi.
Prokurorët thonë se Victor Manuel Rocha, 73 vjeç, kaloi më shumë se 40 vjet duke spiunuar për Kubën, ndërsa ishte në Departamentin e Shtetit, ku ishte ambasador i SHBA-ve në Bolivi gjatë administratës së Bill Klinton.
Rasti i Rocha është “një nga infiltrimet dhe më jetëgjata të qeverisë së Shteteve të Bashkuara nga një agjent i huaj”, tha të hënën në një konferencë shtypi Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland.
Rocha është akuzuar në Gjykatën e Distriktit Jugor të Floridës i akuzuar për Veprim si agjent i paligjshëm i një qeverie të huaj, një akuzë për komplot dhe një akuzë e tretë për përdorimin e një pasaporte të marrë nga një deklaratë e rreme.
“Duke filluar rreth vitit 1981, dhe duke vazhduar deri më sot, Rocha mbështeti fshehurazi Republikën e Kubës dhe misionin e saj klandestin të mbledhjes së informacioneve të inteligjencës kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke shërbyer si agjent i fshehtë i shërbimeve të inteligjencës së Kubës”, thuhet në aktakuzë.
“Për të çuar më tej këtë rol, Rocha siguroi punësim në qeverinë e Shteteve të Bashkuara në pozicione që i siguronin akses në informacionin jopublik, duke përfshirë informacionin e klasifikuar dhe aftësinë për të ndikuar në politikën e jashtme të SHBA”, shkruan prokurorët.
Rocha u kap si rezultat i një operacioni të fshehtë njëvjeçar të FBI-së, sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë.
Sipas ankesës, agjentë të fshehtë të FBI-së, të paraqitur si operativë kubanë, u takuan me Rocha disa herë gjatë vitit të kaluar.
Pas largimit nga detyrat e tij në Departamentin e Shtetit, Rocha punoi në disa punë në sektorin privat, sipas dosjes, duke përfshirë së fundmi si këshilltar i lartë biznesi ndërkombëtar në LLYC USA në Miami. Në gusht, ai la punën e tij në firmën ligjore Foley & Lardner.
“Shqetësimi im, prioriteti numër një ishte... çdo veprim nga ana e Uashingtonit që do të rrezikonte jetën e lidershipit, ose vetë revolucionin”, tha Rocha për agjentët e fshehtë të FBI-së, sipas akuzës.
Akuza përmendi disa raste kur Rocha gënjeu nën betim për besnikërinë e tij ndaj SHBA-së dhe mohoi të punonte për ndonjë subjekt të huaj.
Deri të premten, në një deklarim vullnetar me zyrtarë të Departamentit të Shtetit, Rocha mohoi të ketë takuar ndonjëherë agjentë të inteligjencës kubane, të cilët në fakt ishin agjentë të fshehtë të FBI-së.



