
Pas masakrës në Bucha, Bashkimi Europian është i vendosur që të mbështesë Ukrainën më shumë se kurrë.
Kështu deklaroi presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen duke folur në Parlamentin e Strasburgut duke shpjeguar se ky është mesazhi që do të përcillet në takimin me Presidentin Zelensky, i planifikuar për këtë javë.
Ajo bëri me dije se BE do të mbledhë prova për të vënë para drejtësisë autorët e këtyre krimeve, për të cilët tha se duhet të paguajnë.
Ne qëndrojmë përkrah ukrainasve, atyre që luftojnë për tokën e tyre dhe miliona që po ikin. Ne do të sigurohemi që ata të mund të kthehen. Paratë e europianëve nuk duhet të shkojnë për rusët dhe në këtë pikë duhet të jemi të gjithë të bashkuar. Është e nevojshme që Bashkimi Europian të diversifikojë burimet e energjisë dhe, në të ardhmen, ne duhet të godasim edhe naftën ruse. Këto nuk do të jenë sanksionet e fundit, ne do të vendosim të tjera për të kufizuar varësinë tonë.
Qeveria ukrainase ka nisur një hetim për krime lufte pasi deklaroi se trupat e 410 civilëve u gjetën në zonat përreth Kievit. Disa prej tyre u zbuluan në varre masive, ndërsa një pjesë i kishin duart e lidhura dhe ishin qëlluar nga një distancë e afërt.



