Themeluesi i partisë “Djathtas 1912” Enkeled Alibeaj duke folur në Mcn Live reformën zgjedhore tha që palët kanë hequr nga çfarëdolloj cipe morale. Alibeaj thekson që Rama dhe Berisha janë në të njëjtën gjatësi vale dhe do të vazhdojnë të luajnë me votën e shqiptarëve. Alibeaj vuri në dukje se PD dhe PL për interesa personale të Berishës dhe Metës godet SPAK-un, ndërkohë që nuk është ky interesi i publikut.
“Të paktën kësaj here nuk janë duke u trembur nga asgjë, kanë hequr çfarëdolloj cipe morale. Ke një deformim të madh të rezultatit, shifrave, PS me të gjitha vjedhjet e mundshme, administratën, patronazhistët, mori 52, 29 për qind votë popullore. Logjika ta do që do kishte 74-75 deputetë. Ka marrë 8-9 mandate që s’janë të vetat. PD me 32 për qind, do duhet të kishte marrë 47-48, ka 50, dy mandate më tepër. Partitë e reja, diku te 170 mijë, kanë marrë 4, ndërkohë që do duhet të kishin marrë 11-12 mandate. Ky është impulsi më i madh pse do duhet ndryshuar sistemi zgjedhor.
Krahu opozitar pretendoi që s’e njoh sistemin, por çfarë ndodhi? Kjo do të thotë të mos kesh marrëveshje, pazari me pushtetin, u pranua Parlamenti, rregullorja dhe Komisioni i Reformës Zgjedhore! Ky është një raport mes dy njerëzve, Rama-Berisha, që janë në të njëjtën gjatësi vale si një vit më parë, që bën këtë sistem së bashku, dhe do vazhdojnë të bëjnë të njëjtën gjë. Ndërsa nevojat e zgjedhësve askush s’i adreson. Dy të pandehurit që e kanë sjellë në këtë situatë, do jenë ata që do luajnë me votën e shqiptarëve edhe në të ardhmen”.
Nuk është opozitë Berisha. Formalisht është ulur në anën e djathtë të Parlamentit. Të qenit në opozitë të bën vetëm një gjë, sa i aftë je që të çosh zërin e asaj shumice shqiptarësh që s’e duan qeverisjen. Opozita do duhej të receptonte cilat janë interesat, dëshirat, nevojat e kësaj shumice të publikut dhe t’i çoj në aksion parlamentar. Ajo që quhet formalisht opozitë s’e kontrollon dot reformën zgjedhore.
Një opozitë e përgjegjshme do duhet të kuptonte nevojat. Është e nevojshme që Shqipëria të bëhet një zonë zgjedhore, që Rama mos ketë 8-9 mandate qyl. Tjetra të kërkoj çështjen e koalicioneve. Votimi dhe numërimi elektronik dhe depolitizimi i administratës. Po bëhet një luftë e fortë ndaj çfarëdolloj filizi të ri, partive të reja, për t’i asfiksuar, mbytur. Kjo aleancë e të vjetrës Rama-Berisha e ka një fund”.



