
Një avion mallrash, i cili sipas mediave greke dyshohet se kishte ngarkesë me rreth 12 tonë municione, është rrëzuar pranë qytetit të Kavala në Greqinë veriore në mbrëmjen e së shtunës.
Antonov-12 i operuar nga një kompani me bazë në Ukrainë po fluturonte nga Serbia dhe kishte destinacion Jordaninë.

Ende mbetet e paqartë se sa persona kishte në bord dhe nëse ka të mbijetuar. Disa raporte thonë se 8 persona mund të kenë qenë në bordin e avionit.
Sipas FlightRadar24, avioni u nis nga Nishi, Serbi për në Amman, Jordani. Nisja u bë rreth orës 18:36 UTC dhe po kalonte detin Egje kur u kthye në drejtim të Greqisë në orën 19:29 dhe vetëm pak orë më vonë u rrëzua në një fushë pranë Kavalës.
Avioni lëshoi një sinjal rreziku dhe donte të bënte një ulje emergjente në Kavala, pasi një nga motorët e tij dështoi dhe mori flakë, por humbi nga radari menjëherë pas kësaj dhe u rrëzua në një fushë, por për mrekulli nuk u rrezikua jeta e asnjë banori të zonës.

Autoritetet greke kanë nisur sot operacionin special për gjetjen e pjesëve të avionit ushtarak serb “Antonov” 12.
Operacionit special i paraprinë xhirimet me dron, për tu afruar më pas në vendngjarje grupe piroteknikë të Forcave të Armatosura, siç njoftoi në orët e para të mëngjesit kryebashkiaku i Pangaio, Philippos Anastasiadis.
Gjithashtu pritet që të operojnë edhe Brigada e Zjarrfikësve dhe ekipet e shpëtimit, për të eliminuar çdo mundësi për shpërthime të reja, pasi avioni kishte një ngarkesë me 12 tonë lëndë të rrezikshme.



