Në një intervistë për Fox News amerikan, pak pas përplasjes me presidentin Donald Trump dhe zëvendëspresidentin e tij J.D. Vance gjatë takimit në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Zelensky deklaroi se do të ishte ‘e vështirë" për Ukrainën të përballojë pushtimin e forcave ruse pa mbështetjen amerikane.
"Do të jetë e vështirë për ne", tha presidenti ukrainas, duke iu përgjigjur gazetarit amerikan të Fox News, Brett Baier i cili e pyeti nëse Ukraina mund të fitojë apo të rezistojë ndaj Moskës pa mbështetjen e Uashingtonit.
"Prandaj jam këtu. Prandaj po flasim për negociatat e ardhshme. Do të jetë e vështirë pa mbështetjen tuaj. Nuk i detyrohem asnjë ndjesë Trumpit, e falënderoj për ftesën dhe e respektoj", tha Zelensky duke nënvizuar se "disa biseda nuk duhet të zhvillohen përpara mediave, me gjithë respektin për demokracinë dhe shtypin e lirë. Unë dua paqe, prandaj erdha këtu për të takuar presidentin Trump. Nuk mjafton të thuhet armëpushim, ne duam një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme", u shpreh presidenti ukrainas, duke iu përgjigjur në mënyrë indirekte Trumpit, i cili më parë kishte thënë se Zelensky "nuk është ende gati për paqen".
Më tej ai shtoi se një armëpushim pa garanci sigurie nga Shtetet e Bashkuara është një çështje shumë e ndjeshme për popullin e tij dhe se askush nuk e dëshiron përfundimin e luftës më shumë se Ukraina.
Jam shumë mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara për mbështetjen e tyre. Na keni ndihmuar të mbijetojmë. Respektoj presidentin dhe popullin amerikan. Do të doja që Trump të ishte më shumë në anën tonë dhe jo në mes, sepse lufta nisi sepse Putini na sulmoi.
Sa i përket dorëheqjes, Zelensky tha se duhet të vendosë populli ukrainas.
Vetëm ukrainasit mund të vendosin nëse unë duhet të bëj një hap pas apo jo. Amerikanët zgjedhin presidentin e tyre, ukrainasit zgjedhin të tyrin. Kështu funksionon.
Presidenti i Ukrainës u përgjigj me ‘po’ pyetjes në përfundim të intervistës, nëse besonte se marrëdhënia me Donald Trump mund të shpëtohej pas përplasjes në Shtëpinë e Bardhë. “Dua të ruaj marrëdhënien me Trump”.



