Gazetari Xhevair Zhabina deklaron se goditja në zonën e ish-Bllokut ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, ndodhi për shkak të detyrës dhe nuk ka prapavijë politike.
Në një intervistë për edicionin e lajmeve në MCN TV, Zhabina tha se bazuar në dëshminë paraprake të dhënë nga i vetëdorëzuari në polici, ka thënë se porositësi dhe organizatori i kësaj ngjarje është Dritan Nano.

Sipas dëshmisë, ai ka qëlluar vetëm një grusht ndaj avokatit Mëngjesi dhe më pas i kanë thënë se duhet të tërhiqej nga procesi gjyqësor nga kontrata e firmosur mes këtyre personave, për një punë që Mëngjesi ia kishte kryer këtij personazhi.
Tre personat e tjerë të përfshirë deri në këto momente nuk janë të arrestuar. Ka dyshime se këta persona duan të dalin jashtë vendit dhe puna e policisë është fokusuar te Policia Kufitare.
Bazuar në dëshminë e të vetëdorëzuarit thuhet se është ndjerë i injoruar nga avokati dhe për këtë arsye e kanë goditur.
Mes tyre ka patur dhe njohje dhe është dukur si procedurë normale, këta persona janë përplasur dhe herë të tjera.
Bëhet fjalë për një kontratë shërbimi që i është ofruar këtij personi dhe në fund kanë pasur dhe kontakt.
Avokati ka qenë i suksesshëm në kthimin e një prone këtij personi dhe avokati do merrte shpërblimin në pronë.
Grupi hetimor është duke punuar, do të shihet kontrata e firmosur, nuk është zbatuar nga njëra palë dhe avokati Mëngjesi i është drejtuar Gjykatës së Tiranës për të marrë pronën dhe gjëja e parë që bëhet në këtë rast është bllokimi i pronës.
Sokol Mëngjesi është ndër avokatët më të mirë penalistë në Shqipëri.
Bëhet fjalë për goditje për shkak të detyrës së avokatit, kemi të bëjmë me vrasjen e funksionarëve publikë të mbetur në tentativë.
Personat e përfshirë dhe porositësit rrezikojnë deri në 35 vite burg.
Që në fillim duket si ngjarje që kishte të bënte me detyrën e avokatit, nuk ka ndonjë prapavijë politike që të jetë goditur për shkak se ka mbrojtur ish-kryeministrin Berisha, apo edhe për bindjet e tij politike.
Ngjarja është në vazhdën e sulmeve ndaj avokatëve dhe njerëzve të drejtësisë.
Në të gjitha këto ngjarje që ka qenë në fokus avokatët, drejtësia nuk është se ka shkëlqyer dhe të vërë para drejtësisë autorët.
Ngjarja ka ndodhur në zonën më të survejuar në Tiranë dhe për çudi autorët nuk kanë pasur kujdesin më të vogël për të mbuluar fytyrën.
Ose këta janë të paaftë, kanë qenë të rinj në këtë fushë, ose nuk kanë frikën e shtetit se mund të arrestohen dhe gjykohen për ngjarje që rrezikojnë edhe burgime përjetë.



