
Edhe pse sezoni veror ka kaluar kulmin, shifrat zyrtare të INSTAT tregojnë një ecuri pozitive për turizmin në vend. Vetëm gjatë muajit gusht 2025, Shqipëria ka pritur 2.38 milionë shtetas të huaj, një rritje me 9.9% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Megjithatë, për kryetarin e Shoqatës së Operatorëve Turistikë, Zak Topuzi, këto shifra nuk pasqyrojnë gjendjen reale të turizmit, veçanërisht atij bregdetar.
I ftuar në emisionin “MCN Live”, ai theksoi se rritja e numrit të vizitorëve lidhet më shumë me turizmin tranzit, sesa me pushimet e planifikuara në Shqipëri.
Nuk jemi mirë me turizmin e bregdetit, ashtu siç u reklamua gjatë vitit të kaluar.
Pjesa më e madhe e këtyre vizitorëve nuk kanë ardhur për turizëm të qëndrueshëm, por për tranzit.
Kjo ka ndodhur për shkak të lidhjeve të shumta ajrore që ofron Aeroporti i Rinasit.
Ne nuk jemi dakord me këtë lloj numri turistësh sepse një pjesë e mirë e tyre janë që lëvizin transit. Sot nuk e përdor transitin vetëm Kosova e Mali i Zi, ka kaluar deri Beogradi e përdor transitin shqiptarë
Rritja me ritme të shpejta nuk është domosdoshmërisht pozitive dhe vendi rrezikon të përballet me mbiturizëm, pa qenë i përgatitur me standardet e duhura për ta përballuar.
Rritja me shifra të mëdha nuk është më normale. Jemi në një pikë ku, nëse nuk e menaxhojmë mirë këtë situatë, mund të përballemi me pasoja të rënda nga mbiturizmi.
Duhet një analizë serioze në fund të vitit, për të parë çfarë na mungon, çfarë kemi bërë mirë dhe çfarë keq.
Topuzi vë në dyshim edhe realitetin e përhapjes së turizmit në të gjithë territorin, duke theksuar se Tirana ka pasur më shumë përfitime, për shkak të lëvizjeve të mëdha ajrore nga Aeroporti i Rinasit, ndërkohë që bregdeti nuk ka pasur zhvillimin e pritur.
Është e pamundur që në shtatë muajt e parë të vitit, më shumë njerëz sesa popullsia e Malit të Zi të kenë bërë pushime në Shqipëri.
Duhen politika të qarta për të kuptuar cilat janë prioritetet reale të turizmit shqiptar, dhe për të ndërtuar një strategji që sjell zhvillim të qëndrueshëm, e jo vetëm statistika.



