
Si do të jetë viti 2018? Çfarë do të sjellë ai në politikën dhe ekonominë e botës? Cilat do të jenë sfidat me të cilat do të përballen shoqëritë botërore dhe krerët e shteteve? Një analizë e shkurtër e “Corriere della Sera” mbi zhvillimet kryesore të pritshme gjatë këtij viti.
Provat e Trump-it
Zgjedhjet e mesit të mandatit do të jenë prova e parë për presidentin Donald Trump, por edhe Russiagate do të mbetet një nga çështjet e vitit 2018. Zgjedhjet e nëntorit do të rinovojnë tërësisht Dhomën e Lartë dhe pjesërisht Senatin. Objektivi minimal i Trump-it mbetet konfirmimi i maxhorancës republikane. Trump do të mbështetet kryesisht te shkurtimi i taksave dhe me shumë gjasa edhe te investimet në infrastrukturë. Megjithatë, planet mund t’i prishen nga prokurori Robert Meuller, i cili po heton në lidhje me marrëdhëniet e Trump-it me Kremlinin. Mund të ketë edhe të papritura.
Arabia
Vetëm 32 vjeç, Mohammed Bin Salman synon ta rinojë Arabinë Saudite dhe dëshiron që “injeksionin e botoksit” ta përhapë edhe në Lindjen e Mesme që ndodhet në kaos. Por “doza” duhet matur mirë, pasi nëse është e madhe mund të vrasë (kujtojmë rastin e ndërhyrjes ushtarake në Jemen). Por princi duket i moderuar dhe i gatshëm për të vendosur mbretërinë sunite në drejtimin e të gjithë rajonit. Objektivi është një: ndalimi i ekspansionizmit iranian. Dhe me një aleat që nuk pritej: Izraeli. Trashëgimtari i fronit mbretëror i konsideron shiitët si rrezikun më të madh për rajonin.
Meksika
Për Meksikën, ky vit do të jetë shumë i rëndësishëm. Stina e nxehtë do të sjellë zgjedhjet presidenciale dhe me shumë gjasa fushata elektorale do ta bëjë akoma më të ashpër luftën mes klaneve të drogës, të vendosur për të imponuar pushtetin e tyre dhe t’u marrë territor rivalëve. Mjafton të kujtohet ofensiva e kartelit të Jalisco-s. Mbi 200 mijë njerëz janë vrarë në harkun e 10 viteve dhe 23 mijë viktimat e vitit 2017 flasin shumë për gjendjen atje. Kjo situatë e ka nxitur njërin prej kandidatëve, Andres Obrador, të hedhë idenë e një amnistie për padrinot e drogës, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje paqeje, që do t’u jepte fund masakrave. Një ide e tillë shihet si provokim, por njëkohësisht është provë e pafuqisë përballë kësaj sfide.
Kina
Në vitin 2018, presidentin kinez, Xi, Jingping, e presin tri prova që do të vënë në peshore pushtetin e tij në vend dhe atë të Kinës në skenën botërore. Prova e parë ka të bëjë me presidentin amerikan, Donald Trump. Sa për fillim, Pekinit i duhet të mësojë të menaxhojë marrëdhëniet me një president të paparashikueshëm si Trump. Më pas do ta ketë të nevojshëm elaborimin e një doktrine ekuilibruese mes kontrasteve ekonomike dhe gjeostrategjike që kanë dy superfuqitë botërore.
Prova e dytë është Koreja e Veriut. Vendi i izoluar komunist do të jetë termometri i marrëdhënieve Kinë-SHBA. Presidenti kinez nuk e do rënien e regjimit të Penianit dhe nxit dialogun me Uashingtonin mbi çështjen bërthamore. Përpjekjet për këtë kanë nisur prej muajsh nëpërmjet ndërmjetësve, por viti 2018 do të tregojë nëse do të ketë një marrëveshje apo gjithçka do të rezultojë dështim.
Prova e tretë ka të bëjë me ruajtjen e rritjes ekonomike, e domosdoshme për Kinën por edhe për pjesën tjetër të botës. Fatkeqëisht, në listën e objektivave të presidentit kinez për vitin 2018 nuk pritet të jenë mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe liria e mendimit ndryshe.
Mandati i katërt i “carit”
Në mars të 2018-s, Vladimir Putin do të zgjidhet për herë të katërt në krye të Rusisë. Pjesëmarrja në zgjedhje pritet të jetë 70%, ndërsa Putin do të fitojë me 70% të votave. Por sado që parashikimi i këtyre shifrave të të bëjë të dyshosh, mbështetja që Putin gëzon te populli rus është reale. Cari i kohëve modern nuk ka rivalë të denjë që ta pengojnë dhe kjo tregon se zgjedhja e tij për të kandiduar si i pavarur nuk është aspak e rastësishme.
Momentin më të lavdishëm, Putin do ta ketë në qershor, kur do të deklarojë hapjen e Botërorit të futbollit, i cili për një muaj do ta venosë Rusinë në qendër të vëmendjes së botës. Por problemet do të vijnë më pas. Në aspektin ekonomik, fundi i recesionit nuk do të jetë i mjaftueshëm në mungesë edhe të reformave për ta nxjerrë vendin nga stanjacioni. Por mbi të gjitha në aspektin politik: ky do të jetë mandati i fundit i Putinit. Vitet e tij kalojnë shpejt dhe siç u ka ndodhur shpesh carëve që duan pushtet të përjetshëm, Putin nuk ka as plan dhe as pauses.
Çifti i ri mbretëror dhe imazhi i monarkisë së shekullit XXI
Princi Harry ia doli. Në një vit të vetëm arriti të ndryshonte perceptimin për veten te të tjerët dhe të rinovonte imazhin e mbretërisë britanike më shumë se kushdo tjetër. Fillimisht me sipërmarrjet në bamirësi për fëmijët dhe të rinjtë në nevojë, aksione që të kujtojnë Lady Dianën, më pas me intervistën ku kujtonte dhimbjen e përjetuar në fëmijëri për humbjen e saj, në fund me fejesën me Meghan Markle. Nusja e ardhshme e mbretërisë duket e krijuar posaçërisht për të thyer të gjitha tabutë dhe stereotipet mbretërore. Aktore, e divorcuar, me baba të bardhë dhe nënë afroamerikane, vegjetariane dhe aktiviste e të drejtave të kafshëve. “Nuk jam as e bardhë, as me ngjyrë. U përkas të dyja racave”, është deklarata e saj, që sintetizon gjithë çfarë përfaqëson pjesëtarja e re e familjes mbretërore. Duket se ata janë çifti i përkryer për të mbajtur gjallë ëndrrën dhe për të përfaqësuar mbretërinë e shekullit XXI.
Revolta kundër autoritetit të “baballarëve”
Në Itali nisi në vitin 1968 dhe zgjati 10 vjet. Përfundoi me vrasjen e Aldo Moro-s. Kjo është një prej arsyeve pse në vitin 2018 nuk mund të kufizohemi vetëm te përkujtimi i 50-vjetorit të shpërthimit të një revolte rinore kundër autoritetit të “baballarëve”, për modernizimin e zakoneve dhe të drejtave civile, që u mishërua në Majin Francez dhe protestat në universitetet amerikane.
Në Itali, viti 1968 ishte edhe inkubatori i një ekstremizmi politik që zgjati në kohë, duke nisur nga Lufta e Vazhdueshme e Fuqia Punëtore e duke mbërritur të çmenduria e terrorizmi i Brigadave të Kuqe, që e përgjakën vendin si asnjë shtet tjetër perëndimor. Vjeshta e vitit 1969 solli protestat e punëtorëve që ndryshuan njëherë e përgjithmonë raportet e forcës në shoqëri dhe politikë. Pier Paolo Pasolini e nuhati karakterin e klasës së re kur i përkufizoi si “bijtë e baballarëve” studentët e përleshjeve në Valle Giulia dhe u pozicionua në anën e policëve “të varfër”.
Parabola e Bitcoin-it
Në fund të vitit 2018, mund të gjendemi duke e pyetur veten nëse rritja e Bitcoin-it ishte një shenjë e botës së të ardhmes. Një monedhë që funksionon pa ligj, pa territor të përcaktuar, pa bankë qendrore dhe që tërheq kapital të njëjtë me atë të tregut të aksioneve të një ekonomie të madhe industriale. Më pas, në pak ditë bie më nje të tretën e vlerës, pra shumë më tepër. Kjo është historia e një finance të çankoruar nga çdo realitet material, që injoron institucionet dhe paradoksalisht ka zgjuar një besim të çuditshëm pikërisht për këtë arsye.
E ardhmja e Afrikës së Jugut në rrugën e Mandelës
Viti 2018 do të jetë thelbësor për fatin e Afrikës së Jugut, një far (i shuar) në kontinent. Jacob Zuma, i akuzuar për korrupsion, mund të largohet nga pushteti. Mandati i tij mbaron me zgjedhjet e 2019-s, por Gjykata Kushtetuese është vënë në lëvizje për shkarkimin e tij. Largimi i tij nga pushteti do të sillte në Presidencë Cyril Ramaphosa-n, lideri i Kongresit Kombëtar Afrikan, partia e Nelson Mandelës. Më 8 korrik atje do të festohet 100-vjetori i lindjes së Mandelës dhe Ramaphosa, që ka qenë krahu i tij i djathtë në rënien e aparteidit, do të dijë t’i rikthejë ngjyrën Ylberit Kombëtar të zbehur.
Robotët e rinj dhe ankthi kolektiv
Në filmin e vitit 1993, “Një ditë çmendurie e zakonshme”, personazhi i interpretuar nga Michael Douglas çmendet kur merr një letër që i njofton shkarkimin nga puna me arsyetimin se ishte “i amortizuar”, një term që përdoret për makineritë. Ky do të jetë ankthi kolektiv i vitit 2018, frika se inteligjenca artificiale mund të na kthejë në “të vjetëruar”. Krahas ndryshimeve klimatike, ky është kërcënimi i ri për njeriun. Ndoshta është koha për një ripërkufizim të gjeneratës së robotëve: ata janë më shumë makineri habilis sesa sapiens, pra dinë të zgjidhin problemet, por jo të mendojnë si njerëzit. / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



