
Të paktën dhjetë njerëz u plagosën të enjten në mbrëmje në Ukrainë pasi protestuesit sulmuan një grup të evakuuarish me koronavirus COVID-19 nga Kina.
Sipas, kryeministrit të vendit Oleskiy Honcharuk, megjithëse protesta tani është nën kontroll, trazirat mund të vazhdojnë.
Protestuesit u mblodhën afër Novi Sanzhary prej frikës së përhapjes së koronavirusit në zonë pasi u njoftua se 45 ukrainas dhe 27 shtetas të huaj të evakuar nga Wuhan-i më herët do të mbaheshin në izolim në një sanatorium lokal.
Sipas Euronews, qindra fshatarë vendas vendosën postblloqe, dogjën goma goma dhe hodhën gurë në autobusët që vinin me të evakuuarit.
Kjo erdhi përkundër sigurimeve nga qeveria se asnjë prej të evakuuarve nuk paraqiti simptoma të infeksioneve akute të frymëmarrjes.
Sanatoriumi në të cilin evakuuarit janë duke u karantinuar për 14 ditë ruhet nga qindra trupa të Gardës Kombëtare të Ukrainës me policinë lokale që po patrullojnë zonën.
Ukraina nuk ka raste të konfirmuara të koronavirusit të ri, i cili ka vrarë më shumë se 2000 njerëz dhe ka infektuar më shumë se 76 000 në Kinë dhe qindra të tjerë në mbi 25 vende.
Presidenti Volodymyr Zelenskiy është shprehur se janë marrë masa "të jashtëzakonshme" për të parandaluar përhapjen e virusit në të gjithë vendin dhe ka bërë thirrje që njerëzit të mos organizojnë protesta.
"Shumica e pasagjerëve janë njerëz nën 30 vjeç. Ata janë pothuajse si fëmijë për shumë prej nesh. Por ekziston një rrezik tjetër që unë do të doja të përmend. Rreziku për të harruar se ne jemi të gjithë njerëz dhe të gjithë jemi ukrainas. Secili nga ne. Përfshirë dhe ata që përfunduan në Ëuhan gjatë epidemisë", tha Zelensky.



