
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, u vu në qendër të shakave në darkën e Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, të cilave iu kundërpërgjigj me batuta.
Elitat politike dhe mediatike të Uashingtonit u mblodhën të shtunën mbrëma në kryeqytetin amerikan në eventin vjetor. Komediani i “Daily Show”, Roy Wood Jr, ngacmoi 80-vjeçarin Biden mbi moshën, ku nëse ai garon për një mandat të dytë mund të jetë President në moshën 86 vjeçare. Wood vuri në dukje se në protestat e fundit që nxitën zemërim në Francë u bënë kundër rritjes së moshës së daljes në pension.
Ai iu drejtua Shefit të Shtëpisë së Bardhë me fjalët: “Ata bënë trazira se nuk donin të punonin deri në moshën 64-vjeçare. Ndërkohë në Amerikë kemi një burrë 80-vjeçar që na lutet për katër vite të tjera punë!”
Vet Biden nuk e kurseu auto-ironinë, pas kritikave për moshën e tij. Ai shënjestroi gjithashtu prezantuesin e CNN, Don Lemon, i cili u shkarkua pasi bëri komente seksiste dhe në lidhje me moshën.
Biden tha: “Ju më quani plak, unë them jam me përvojë. Ju thoni jam i lashtë, unë them se jam i mençur. Ju thoni më ka kaluar koha, Don Lemon do të thoshte se është një burrë në kulmin e tij!”



