Maqedonia e Veriut po përballet me valën e dytë të Covid-19. Numri i lartë i rasteve të reja e ka detyruar qeverinë të hartojë një plan masash shtrënguese, që në jo pak raste po kontestohen nga qytetarët. Në studion e TvT, përmes një lidhjeje Skype, zv.ministri i Shëndetësisë, Ilir Hasani, thotë se synimi i autoriteteve shëndetësore është të mbahet funksional sistemi spitalor. Aktualisht, sipas tij, vendi është i përgatitur për situatën.
“Gjithmonë jemi munduar që numri i pacientëve që kanë nevojë për trajtim spitalor të mbetet nën vijën e kuqe të kapacitetit. Ne nuk na mungojnë shtretërit, na mungojnë infeksionistët dhe infermierët. Ne kemi spitalin modular me 70 shtretër, janë rreth 150 shtretër të zënë deri tani dhe 50 shtretër në Spitalin Ushtarak. Por kemi edhe dy reparte të mëdha me nga 50 shtretër. Por edhe në spitalin e fëmijëve kemi edhe 40 shtretër. Jemi të gatshëm të përballemi me impakt më të madh”, tha ai.
Hasani shtoi se pavarësisht kontestimit të qytetarëve, mbajtja e masakve dhe kufizimi i numrit të vizitorëve në shtëpi mbeten arma kundër virusit.
“Ligji që është në procedurë parashikon dy gjëra të kontestueshme. Njëra është mbajtja e maskave edhe në mjedise të hapura. Janë masa të domosdoshme që nuk duhet t’i analizojmë shumë, por duhet t’i respektojmë. Maskat duhen mbajtur sepse ato na mbrojnë. Masa tjetër është kufizimi i mysafirëve në shtëpi. Janë identifikuar në Shkup të rinj që mblidheshin dhe bënin festa në shtëpi”, tha ai.
“Vala e dytë ka ardhur me një hov shumë më agresiv. Jemi në dilemë a kanë pasur efekt ato masa që morëm gjatë valës së parë. Po mundohemi ta luftojmë këtë virus duke gjetur njëfarë ekuilibri mes numrit të pacientëve dhe masave që mund të dëmtojnë ekonominë. Përkundër thirrjeve publike dhe njoftimeve që kemi bërë, prapë kemi hasur në rezistencë të palogjikshme nga qytetarët. Është për t’u shqetësuar sesa pak respektohen këto masa, që mbeten e vetmja armë që kemi për të luftuar këtë pandemi”, shtoi Hasani.



