
Gazetari Denis Dyrnjaja deklaroi në studion e lajmeve në MCN Tv se Kongresi i PS-së i ishte dukur si një konkurs, se kush gjente metaforat më të bukura për liderin.
Duke vijuar më tej, Dyrnjaja tha se do të donte që në Kongresin e sotëm socialistët të nxirrnin probleme të mëdha, të bënin denoncime për korrupsionin masiv dhe arrogancën e drejtorëve.
Sot ishte një konkurs kush gjen metaforat më të bukura për liderin dhe udhëheqësin. M’u duk sikur kjo nuk është Shqipëria e Edi Ramës, por Shqipëria e Elon Mask. Gati-gati një shkëlqim i jashtëzakonshëm sikur ne nuk jetojmë këtu, ku çdo ditë raportohet një vrasje dhe ku pasiguria në publik është më e lartë se çdo herë tjetër, ku kemi çmime për kosto jetë që fillojnë nga 50 mijë euro, 100 mijë, 500 mijë apo 1 milion euro për të hequr qafe njerëz kudo, kurdo dhe nga kushdo.
Pra ishte pak e neveritshme, e velshme e gjithë ajo ëmbëlsirë e artificializuar për të nxjerrë çdo gjë të shkëlqyeshme në këtë realitet.
Nuk e di a i besojnë dhe vetë ato që thonë. Ndoshta kanë arritur të kapërcejnë ylberin edhe në këtë pikë sa të besojnë edhe gënjeshtrat e veta, dhe ky është dëmi më i madh që mund të pësojë një forcë politike që nuk ka të kundërtën e saj, mungesën e opozitës. Në një kuptim është dhe vetëshkatërrim, ky lloj vetëqejfllëku politik është dhe vetëshkatërrim.
Bardhi kishte publikuar një baner me zyrtarë dhe ministra që janë në procese përballë drejtësisë po janë shumë të tjerë që mungojnë në atë fotografi.
E kam fjalën për kryebashkiakët dhe ministrin e Drejtësisë që është kallëzuar për shpërdorim detyre nga Dritan Goxhaj.
Një ministër drejtësie që kallëzohet për shpërdorim detyre.
Le të përmendet 21 janari, por të nxirren dhe përgjegjësit e dosjes 184 që i kemi dëgjuar me zë ku u përfol pak më parë, ministri protagonist është ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja. Apo dosja 339.
Të gjitha këto janë disbalancim politik. Nuk mund të hajë lima vetëm në një krah. Do të doja sot që në dekadën e dytë të nxirreshin probleme të mëdha, ishe rasti për të denocuar korrupsionin masiv, arrogancën e drejtorëve, ministrave apo zëvendësministrave ndaj njerëzve. A është kjo parti e përulur, apo është parti që maskon arrogancën me këtë pamjen dixhitale.



