
ARRSH ka vendosur të pezullojë ndërtimin e segmentit rrugor Pallati me Shigjeta-Sheshi Shqiponja, një pjesë e projektit të zgjerimit të Unazës së Madhe.
Vendimi vjen pasi emisioni “Të Paekspozuarit” publikoi dokumente që flasin për falsifikimiet e kompaninsë Dunwell Haberman (kompania mëmë e DH Albania), fituese e lotit të parë prej 18 milionë eurosh për rindërtimin e Unazës së Madhe.
Në njoftimin për shtyp, ARRSH saktëson se pezullimi i ndërtimit të këtij segmenti do të vijojë deri në kthimin e një përgjigjeje nga autoritetet amerikane në lidhje me pretendimet e ngritura.
Dyshimet për falsifikim
Fituesi i tenderit për realizimin e një prej 3 pjesëve të Unazës së Re është bashkimi mes kompanisë shqiptare Biba X dhe kompanisë DH Albania.
Kjo e fundit rezulton e regjistruar në korrik të këtij viti, pak përpara se të hapej tenderi, dhe ka përfaqësues 26-vjeçarin shqiptar, Avdiol Dobi. Kompania DH Albania, në bazë të verifikimeve në QKB, është degë e kompanisë Dunëell Haberman, themeluar në shtetin Delaëere (SHBA), në qershor të vitit 1998. Për këtë, ajo ka depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit në Shqipëri, një letër nga Sekretari i Shtetit të Delaware-it, Jeffrey Bullock, që vërteton aktivitetin e saj në këtë shtet dhe po ashtu dhe datën e themelimit 20 vjet më parë. Por një verifikim i emisionit “Të Paekspozuarit” pranë Departamentit të Shtetit të Delaëare mbi kompaninë Dunëell Haberman ka zbuluar se dokumenti i paraqitur pranë institucioneve shqiptare është i falsifikuar.



